Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se në disa vendvotime e komuna, manipulimi me votat e kandidatëve ka marrë përmasa industriale.
Cakolli, mes tjerash, thekson se Prokuroria duhet të nisë hetimet sepse emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi dihen, njofton Dukagjini.
“Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale?! Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në QKN dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në veti nga komisionerët. Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor”, ka thënë Cakolli.
Mes tjerash, sipas Cakollit edhe përfshirja e kandidatëve të caktuar është shumë e mundshme andaj thekson se hetimi duhet t’i përfshijë edhe ata.