Kandidati i PDK-së për deputet, Fetah Paçarizi, ka reaguar pas rinumërimit të votave, proces nga i cili atij i janë hequr rreth 6 mijë vota.
Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë ndikim në proces dhe është distancuar nga çdo keqpërdorim apo manipulim i mundshëm.
Në një reagim në Facebook, Paçarizi ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, si dhe hetim nga Prokuroria e Shtetit.
Sipas tij, rinumërimi i plotë është i domosdoshëm për të garantuar transparencë, barazi dhe respektim të vullnetit real të qytetarëve.
Ai ka theksuar se është i përfshirë rishtas në politikë dhe se nuk ka mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike.
“Dua të sqaroj qartë se jam i kyçur rishtas në politikë dhe nuk kam mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike. Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të tij.