Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të rregullt mbi “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës”, duke konstatuar dobësi në organizimin dhe aktivitetin hetimor të stacioneve policore.
Raporti vë në pah se disa nga njësitë e hetimit të dhunës në familje nuk funksionojnë plotësisht dhe disa vende të punës mbeten të paplotësuara.
Gjithashtu, në disa dosje të inspektuara mungojnë raportet njoftuese për Prokurorinë mbi dyshimet e kryerjes së veprave penale dhe nuk aplikohet gjithmonë vlerësimi i rrezikut për viktimat sipas standardeve.
“Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ. Në fushën e organizimit dhe burimeve njerëzore janë evidentuar dobësi që pasqyrojnë mos funksionalizimin e ekipeve të hetimeve të dhunës në familje në disa prej stacioneve, mos plotësimin e vendeve të punës në disa prej ekipeve të hetimeve të dhunës në familje etj. Në fushën e aktivitetit operativ hetimor janë evidentuar dobësi që pasqyrojnë se në disa prej dosjeve të inspektuara vërehen mungesë të raporteve njoftuese për Prokurorin mbi dyshimet e arsyeshme të kryerjes së veprave penale si dhe mos aplikim të vlerësimit të rrezikut për viktimat sipas standardit në disa prej dosjeve të inspektuara”, thuhet në raport.
IPK ka dhënë gjashtë rekomandime, përfshirë funksionalizimin e plotë të ekipeve të hetimit, trajnimin e burimeve të angazhuara, përmirësimin e cilësisë së intervistave dhe përfshirjen e dëshmitarëve të tjerë, nxjerrjen e raporteve ditore për rastet, si dhe respektimin e zinxhirit të komandimit gjatë procedimit të kallëzimeve penale.
