Rinumërimi shfaq “dallavere” – partitë politike kërkojnë rinumërim të plotë

Partitë politike kanë reaguar pas keqpërdorimeve me vota të kandidatëve brenda partive. Shumica prej tyre pajtohen se duhet rinumërim i tërësishëm, ndërkaq parti si PDK-ja, ku ka edhe më së shumti manipulime, kanë thënë se askush nuk do të shpëtoj nga përgjegjësia, përfshirë penale. Nga lista e kandidatëve në katër partitë e mëdha, Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK, pas rinumërimi, gjithsej gati 30 mijë vota iu janë hequr kandidatëve

Ilustrim

Rajoni i Prizrenit për të cilin Prokuroria Themelore ka nisur hetimet, prinë për nga shpërputhja e votave të kandidatëve nga të gjitha partitë, rrjedhimisht prinë edhe si rajon ku dyshohet se janë keqpërdorur votat.

Vetëm në shkollën Ibrahim Fehmiu në Prizren, Fetah Paçarizit, kandidatit të PDK-së për deputet, pas rinumërimit i janë hequr fiks, 396 vota.

Në total, Paçarizit, procesi i rinumërimit ia ka hequr minus mbi 6 mijë vota.

Në PDK edhe Nait Hasanit pas procesit të rinumërimit del se i janë shtuar gabimisht ose me qëllim, gati 3500 vota. Kujtim Gashit dhe Luljeta Veselaj-Gutajt, sikurse deputetët paraprak, të gjithë nga rajoni i Prizrenit, iu janë minusuar të dyve ndaras, më shumë se nga 2 mijë vota.

Në total në PDK nga 560 kuti të rinumëruar, janë minusuar fiks 19 mijë e 540 vota, të cilat ishin të numëruar për kandidat të gabuar, të cilëve nuk iu përkisnin këto vota.

Krahas një përgjigjeje të PDK-së për TV Dukagjini përmes së cilës shprehin shqetësime për shpërputhjet në vota duke kërkuar që t’i shkohet deri në fund këtij procesi, kryetari Bedri Hamza ka qenë edhe më radikal përmes një qëndrimi publik gjatë ditës, duke bërë thirrje që të mbrohet integriteti i procesit.

“Janë tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave. Në këto rrethana të krijuara, si Kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë…” – Bedri Hamza – Kryetar i PDK-së.

Edhe tek kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje ka dallime në vota pas rinumërimti, saktësisht minus 4 mijë e 486 vota të hequra nga kandidatët.

Arbër Rexhaj po ashtu nga Prizreni prinë me mbi 600 vota më pak, Rea Krasniqi po ashtu nga ky qytet me rreth 550 vota minus, përcjell nga bashkëvendësja Dafina Alishani me mbi 450 vota të hequra nga llogaria e saj.

Në top katërshen e Vetëvendosjes i vetmi të cilit i janë hequr mbi 400 vota e nuk është nga Prizreni, është ish-deputeti, Valon Ramadani i cili vjen nga Ferizaj.

Tek LDK, Xhavit Ukaj po ashtu nga Prizreni udhëheq me mbi 1 mijë e 500 vota të cilat i janë hequr nga llogaria pas rinumërimit. Edhe dy bashkëvendasit e tij Driton Selmanaj me mbi një mijë vota dhe Anton Quni sa gjysma e tij janë në top treshen e parë të deputetëve të cilëve iu janë minusuar votat pas rinumërimit.

Top katërshen e mbyll ferizajasi Visar Azemi, me mbi 400 vota më pak, ndërsa LDK në përgjithësi në radhët e deputetëve të saj i ka 4 mijë e 490 vota më pak, nga mbi 95% e 557 kutive të rinumëruara.

Kryetari Lumir Abdixhiku, përmes një reagimi me shkrim, mbrëmë, paralajmëroi pasoja dhe përgjegjësi politike brenda LDK-së duke ua lënë fajin njerëzve brenda partisë për të cilët thotë se me tjetërsimin e votës së kandidatëve të rinj po bëjnë rezistencë që e ka gërryer LDK-në.

Partia më e vogël për nga numri i votave, AAK ka pasur më së paku vota të minusuara nga kandidatët, rreth 1250 vota. Edhe këtu prinë kandidati nga Prizreni, Besnik Krasniqi me mbi 300 vota të minusuara pas rinumërimit.

Reagim publik dhe thirrje për thellim të hetimeve nga Prokuroria ka pasur edhe nga kryetari Ramush Haradinaj, i cili sikurse krerët tjetër partiakë ka kërkuar rinumërim të plotë të të gjitha votave.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

Të fundit nga rubrika