Në kohën kur pritej që Kosova të hynte në fazën e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, procesi zgjedhor ka pësuar një kthesë serioze mbrapa.
Zbulimi i mospërputhjeve të theksuara në votat e kandidatëve për deputetë e ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet e rregullta.
Rinumërimi shfaq “dallavere” – partitë politike kërkojnë rinumërim të plotë
Vendimi, i marrë më 19 janar, pasoi rinumërimin e pjesshëm të realizuar javën e kaluar, gjatë të cilit u evidentuan shkelje serioze dhe dallime të mëdha mes rezultateve fillestare dhe atyre pas rinumërimit.
Lidhur me këtë situatë ka folur juristi Anton Nrecaj, i cili në FIVE në TV Dukagjini paralajmëroi pasoja të rënda kushtetuese dhe institucionale nëse procesi zvarritet më tej.
“Nëse vazhdojmë me këtë trend rrezikojmë të vijmë deri më datën 5 mars. Ku do të jemi në një situatë, të paparashikueshme. Pasi nga data 5 mars do të duhej të fillonte, të iniciohej procesi i rizgjedhjes së presidentit. Nëse nuk kemi Kuvend, kryetar Kuvendi deri të atëkohë atëherë do futemi në një qorrsokak, në të cilën asnjëherë më parë nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës. Dhe do të ishte një situatë, ku vërtetë do ta cenonin dhe do ta rrënonin atë që është ndërtuar për vite me radhë…
Faji nuk guxon të mbetë jetim. Është koha që të veprohet. Marrë parasysh faktin se kemi një situate se kemi vërtetë vjedhje masive të votave…”, ka thënë Nrecaj.
Në të njëjtën linjë ka folur edhe njohësi i çështjeve politike, Shkëlqim Jakupi, i cili vlerëson se dëmi i shkaktuar nga parregullsitë zgjedhore shkon përtej afateve procedurale.
“E ka cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë parlamentar të Kosovës, e ka cenuar drejtpërdrejt vlerat demokratike të shtetit të Kosovës. Sot Kosova apo organet publike shtetërore, KQZ-ja në këtë rast. Nuk është më të vërtete shumë e rëndësishme afatet për certifikimin e rezultateve për bërjen e institucioneve. Sot duhet të ndalemi dhe të shikojmë se sa legjitime dhe sa demokratike janë këto zgjedhje”, ka thënë Jakupi.