Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe kryerje të eksperimenteve të paligjshme mjekësore.
Rasti është iniciuar pas raportimeve në mediat elektronike lidhur me veprimtari të dyshuar mjekësore.
Ai dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore, duke kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, Policia ka kryer kontroll në pronat e të dyshuarit, ku kanë qenë të pranishëm edhe inspektorë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë asistuar në identifikimin e medikamenteve farmaceutike.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri të gjata dhe dy armë zjarri të shkurtra me leje përkatëse, sasi municioni dhe disa karikatorë, medikamente të ndryshme, libra protokolli, si dhe pajisje elektronike, përfshirë shtëpizë kompjuteri, telefona dhe microçipa.
“Pas publikimit në mediat elektronike për veprimtari të dyshuar mjekësore, Policia e Kosovës konkretisht Sektori Rajonal i hetimeve DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë tjera relevante, bazuar në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, më datë 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit A.S., (1978) M/K nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore përkatësisht ka kryer veprat penale: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave të sanksionuara me KPRK.
Me qëllim të gjetjes dhe mbledhjes së provave, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, është ushtruar kontroll në pronat e të dyshuarit, ku prezent kanë qenë edhe inspektorët përkatës nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë asistuar hetuesit policorë për sa i përket medikamenteve farmaceutike.Gjate kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar ;
Dy armë zjarri të gjata (me leje përkatëse),
Dy armë zjarri te shkurtra (me leje përkatëse),
Sasi e municionit dhe disa karikatorë të armëve,
Medikamente të ndryshme,
Libra protokolli si dhe,
Pajisje elektronike (shtëpizë kompjuteri, telefon, microçipa)etj.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.