Ftesa e presidentit të SHBA-ve drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Republika e Kosovës të bëhet anëtare themeluese e Bordit për Paqe, rikonfirmon Kosovën si shtet sovran dhe faktor paqeje, thotë Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’.
Fetoshi në një postim në Facebook e ka cilësuar këtë hap si një “ftesë strategjike”, duke theksuar rëndësinë e shumëfishtë që ajo ka për Kosovën në planin ndërkombëtar.
Më tej ai ka theksuar se përmes kësaj ftese rrëzohen përfundimisht narrativat e Beogradit që synojnë ta paraqesin Kosovën si faktor destabiliteti.
“Të gjitha konstruksionet e Serbisë, që synojnë prezantimin e Kosovës si çështje ende të pazgjidhur politike dhe si burim destabiliteti në rajon, demolohen përfundimisht”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe Normandy Index 2025, i cili e vlerëson Kosovën si cak të kërcënimeve hibride nga Serbia, ndërsa këtë të fundit e lidh drejtpërdrejt me tensionet në veri të Kosovës. Sipas Fetoshit, ky raport e klasifikon Serbinë si burim destabilizimi për shkak të afrimit të vazhdueshëm me Rusinë dhe Kinën.
Duke iu referuar renditjes ndërkombëtare, ai ka theksuar se pozicionimi i Kosovës në vendin e 13-të dhe i Serbisë në të 41-tin për nivelin e kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë në botë “vërteton se Kosova është më së miri në rajon për siguri strategjike, ndonëse e ekspozuar ndaj presionit hibrid”.
Sipas Fetoshit, në kontekstin aktual gjeopolitik, ftesa e presidentit Trump për Kosovën është edhe një mesazh i qartë për shtetet dhe organizatat mosnjohëse, duke e pozicionuar vendin si subjekt të barabartë në përpjekjet globale për paqen dhe si aktor të rreshtuar “në anën e duhur të historisë”.
