Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, lidhur me një rast të ndodhur më 21 dhjetor 2025 në Ferizaj.
Sipas njoftimit, rreth orës 23:50 të asaj nate, në rrugën “Wesley Clark”, një person kishte mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Policia njofton se sot, më 21 janar 2026, rreth orës 11:15, i dyshuari A.R., 31 vjeç, ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë në Ferizaj, duke shprehur vullnetin për vetëdorëzim.
Pas kësaj, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me një njësi patrulluese, kanë shkuar në adresën e të dyshuarit, ku edhe është realizuar arrestimi i tij.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa për të gjitha veprimet hetimore është njoftuar prokurori i rastit. Me vendim të prokurorit, A.R. është dërguar në ndalim për 48 orë.