Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për Arianit Sllamnikun, i akuzuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe eksperimente mjekësore të paautorizuara.
Sipas komunikatës së gjykatës, Sllamniku ka ushtruar aktivitet mjekësor në lokalin e tij “Consulence” në Gjilan, duke ofruar trajtime dhe këshilla për shërimin e autizmit, pa kualifikime, licencë apo autorizime ligjore. Ai ka rekomanduar përdorimin e terapive të pa testuara dhe mjekime që nuk kishin asnjë bazë shkencore, duke pranuar pagesa për këto shërbime.
“Nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në rrugën ’’17 Shkurti’’, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, përkundër se i vetëdijshëm se nuk posedonte kualifikime të posaçme dhe të domosdoshme sipas ligjit ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme, ashtu që në lokalin ‘’Consulence’’ ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore, ashtu që pas raportimit të lajmit për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme gjatë zbatimit të urdhër kontrollit UGJK nr.5/2026 nga NJHP në Gjilan, në lokalin ‘’Consulence’’, gjendet edhe një dëshmitar i cili pas marrjes së terminit kishte shkuar për tu konsultuar për trajtimin Autizmit, e po ashtu gjenden edhe medikamente të ndryshme mjekësore të cilat sekuestrohen”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Gjykata sqaron gjithashtu se i pandehuri ka kryer eksperimente mjekësore edhe përmes komunikimit elektronik dhe telefonit, duke u dhënë terapi fëmijëve autik për largimin e metaleve dhe “shërimin” e autizmit, edhe pse nuk kishte njohuri për efektet e këtyre terapisë dhe ato nuk ishin testuar në njerëz.
Ai akuzohet për dy vepra penale, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe eksperimente mjekësore të kundërligjshme dhe testimi i barnave.
“Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”, shpjegon Gjykata.
Gjyqtarja ka vendosur paraburgim, duke vlerësuar se masat alternative nuk do të siguronin zhvillimin e drejtë të procedurës penale. Palët mund të ankohen në Gjykatën e Apelit të Kosovës.