Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Osmani gjatë momentit të nënshkrimit ka diskutuar diçka shkurtimisht me Trump, njofton Dukagjini.

Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë 20 nga 50 vende të ftuara. Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia janë vendet që kanë nënshkruar në ditën e themelimit të këtij bordi.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.
Kujtojmë se Osmani të mërkurën njoftoi se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese.