Në mesin e 19 liderëve, e ku i 20-ti ishte nikoqiri i krejt ngjarjes, presidenti amerikan Donald Trump, e vetmja lidere grua, në ceremoninë e nënshkrimit të kartës së shteteve themeluese të Bordit të Paqes për Gazën, ishte presidentja, Vjosa Osmani.
Në Davos të Zvicrës, ftesa për nënshkrimin simbolik të parës së Republikës së Kosovës i erdhi kah mesi i ceremonisë bashkë me udhëheqësin e Pakistanit.
Bisedën më të gjatë dhe ndoshta më të përzemërtën, Trump e kishte me presidenten Osmani, ndonëse kjo e fundit u kujdes që ta zhvilloj larg objektivave të kamerave e mikrofonave.
Pas nënshkrimit, tregoi përmes rrjeteve sociale, se e njëjta do të ratifikohet në Kuvend.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, presidenti amerikan, foli gjatë e gjerë për shumë tema e nuk e lëshoi rastin pa e përmendur çështjen e Kosovës dhe Serbisë, që e renditi në mesin e ‘tetë luftërave që pretendon se i ka ndalur’.
“Dhe mund të bëjmë edhe gjëra të tjera. Mund të bëjmë shumë gjëra të tjera. Sapo ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë pothuajse gjithçka që duam të bëjmë. Dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. E dini, unë gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë potencial të jashtëzakonshëm, por nuk e kanë shfrytëzuar. Por potenciali ekziston në Kombet e Bashkuara. Dhe ka disa njerëz shumë të mirë në Kombet e Bashkuara. Por deri tani, nuk ka ndodhur kështu. E dini, për tetë luftërat që i dhashë fund, nuk kam folur asnjëherë me Kombet e Bashkuara për asnjërën prej tyre”, ka thënëTrump.
Planet e rindërtimit për Gazën dhe paraqitja e këtij Bordi si një organizatë e fuqishme ndërkombëtare, e cila arriti të e ndalojë luftën gati 70 vjeçare në Gaza, e përcollën edhe argumentet e folësve tjerë, të cilët janë pjesë e Bordit Ekzekutiv të Paqes.
“Ky nuk është thjesht një Bord i Paqes, ky është një Bord i veprimit. Ashtu si Presidenti Trump që është një President i veprimit. Shpeshherë, në marrëdhëniet ndërkombëtare ne e gjejmë veten në ngjarje ku njerëzit i lexojnë disa fjalime të forta por asnjë veprim, asgjë nuk ndodh. Ky këtu është grup i liderëve që janë për veprimin dhe Presidenti i SHBA-së, është president i veprimit”, ka thënë Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Se cili është plani ambicioz për Gazën e shkatërruar nga lufta me Izraelin, e prezantoi dhëndri dhe këshilltari jo-formal i Trumpit, Jared Kushner, i cili ka luajtur një rol të madh në planin 20 pikësh.
Çarmatosja, lirimi i pengjeve, marrëveshja për mbyllje të konfliktit, ndihmat humanitare, Gaza e ndarë në 6 zona, me resorte luksoze për turizëm, porte detare, 180 kulla të mëdha në shërbim të turizmit, 10 miliardë dollarë GDP për 10 vite, 500 mijë vende pune, 25 miliardë euro investime në shërbime publike, e shumë detaje të tjera, janë pjesë e këtij plani që u prezantua nga Kushner.
