Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka reaguar lidhur me mbajtjen e një sesioni informues për Dhomat e Specializuara të Kosovës në gjimnazin “Xhevdet Doda”, duke sqaruar se aktiviteti është realizuar me lejen e institucionit arsimor.
Sipas përgjigjes së YIHR KS për televizionin Dukagjini, sesione të tilla informuese organizohen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“YIHR KS sqaron se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor. Sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën.
Gjatë sesionit është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës. YIHR KS, prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi i saj, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë. Sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”, thuhet në reagim.