121 komisionerë dhe persona të tjerë nga të gjitha partitë politike në Prizren, në orën 8 në mëngjes u ftuan të paraqiten për intervistim në stacionet policore.
Të gjithë dyshoheshin se ishin pjesë e dallavereve dhe manipulimit të hiç më pak se 68 mijë votave, të cilat iu shtuan e iu hoqën kandidatëve për deputetë.
Për ilustrim, Kryeprokurori Petrit Kryeziu e konfirmoi më vonë se vetëm në një klasë në Prizren nuk janë manipuluar votat, ndërsa ka raste kur në një klasë tjetër janë manipuluar mbi 2 mijë e 200 vota.
Intervistimi i komisionerëve që dyshohet se skemën e manipulimit e realizuan në Qendrën Komunale në prani të kamerave dhe vëzhguesve zgjati, mbi 6 orë.
Në stacionin policor në Prizren, në Lubishtë dhe stacione të tjera, intervistimet hodhën në dritë mbi detajet e skemës së organizuar.
“109 vendime për ndalim. Na kanë tregu se si kanë ardhë presionet e nga kush kanë marr ryshfet”, u shpreh kryeprokurori, Petrit Kryeziu.
Nga 121 të intervistuar, 12 prej tyre liruan, ndërsa 109 të tjerë me duar të lidhura u nxorën nga stacionet policore për t’u dërguar më pas në mbajtje për 48 orë.
Si të dyshuar për dhënie të ryshfetit, ose për presion Kryeziu e konfirmoi se në mesin e të ndaluarve ka edhe të afërm të kandidatëve për deputetë edhe zyrtarë partiakë.
Por sipas Kryeprokurorit, ky manipulim i votave nuk ka mundur të realizohej pa një marrëveshje mes katër partive më të mëdha politike.
“Po të mos kishte dakordim nuk do të kishte manipulim…”
Kryeziu e konfirmoi se për çështjen e ryshfetit ka vendosur të bashkëpunojë njëri nga komisionerët i cili ka dhënë informacione, ndërkaq tha se deri më tani nuk kanë prova, të cilat i përfshijnë kandidatët për deputetë, por u zotua se edhe deklarimet e deputetëve do të dëgjohen nga Prokuroria.
Aksioni, i cili sipas udhëheqësve policorë, ishte ndër më mëdhenjtë ndonjëherë, ka rezultuar edhe me arrestimin e Art Hasanit, i cili është djali i kandidatit të PDK-së për deputet, Nait Hasani.
Avokati i tij, Anton Çupërjani, thotë se Hasani ka qenë komisioner dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për falsifikim të votave.
Edhe avokatë të disa komisionerëve të tjerë treguan se klientët e tyre kryesisht janë mbrojtur në heshtje, ndërsa në biseda me ta kanë pretenduar se vetëm i kanë nënshkruar regjistrat pa e hetuar se ka manipulime të votave.
Në aksion ishin të përfshirë katër prokurorë të krimeve të rënda dhe rreth 200 policë.
Të ndaluarit dyshohen për veprat penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, “Kanosja” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin”.