Osmani për Bordin e Paqes: Besoj në udhëheqjen e presidentit Trump për të sjellë paqe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Republika e Kosovës e mbështet fuqishëm Bordin e Paqes, nismë kjo e presidentit amerikan, Donald Trump.

Osmani, nëpërmjet një videoje të publikuar, thotë se përvoja e Kosovës në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes mund të shërbejë si shembull për botën, njofton Dukagjini.

“Duke ardhur nga Republika e Kosovës, një vend i shkatërruar nga lufta, dhe që sot jeton në paqe falë udhëheqjes amerikane, jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë që qëndrojmë krah Presidentit Trump në këtë nismë të re. Besoj fuqishëm në lidershipin e presidentit Trump dhe ekipit të tij. Kjo është për të shpëtuar jetë”, u shpreh Osmani.

Tutje Osmani theksoi se procedurat komplekse të vendimmarrjes në Kombet e Bashkuara e kanë bërë të vështirë arritjen e paqes, ndërsa Bordi i Paqes synon një qasje më të drejtpërdrejtë.

“Me këtë organizatë të re, jam e bindur se paqja mund të çojë përpara përmes një procesi vendimmarrjeje më pak kompleks. Në rajonin tonë, OKB-ja ka pasur rol kryesisht në ruajtjen e paqes, ndërsa kur ishte fjala për arritjen e paqes, udhëheqja erdhi nga Shtetet e Bashkuara,” deklaroi presidentja.

Të fundit nga rubrika