Vdes 12-vjeçari pas sulmit të peshkaqenit në Sidnei

Nico Antic, 12 vjeç, po hidhej nga një shkëmb me shokët e tij më 18 janar, kur u sulmua nga ajo që autoritetet dyshojnë se ishte një peshkaqen në Sidei.

“Jemi të shkatërruar nga dhimbja të ndajmë lajmin se djali ynë, Nico, ka ndërruar jetë,” thanë prindërit e tij, Lorena dhe Juan, në një deklaratë, shkruan BBC.

Incidenti ishte një nga katër sulmet e raportuara nga peshkaqenët përgjatë bregdetit të New South Wales brenda dy ditësh.

Shokët e Nico-s u vlerësuan për guximin, pasi u hodhën në ujë për ta ndihmuar menjëherë pas sulmit, të dielën pasdite.

Megjithatë, ai kishte pësuar lëndime të rënda në këmbë dhe u dërgua në Spitalin e Fëmijëve të Sidneit në gjendje kritike.

Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai u vendos në komë të induktuar.

Një fushatë online për mbledhje fondesh, e hapur për familjen e Nico-s, ka arritur të grumbullojë 240 mijë dollarë.

Gjatë javës së fundit është shënuar një rritje e sulmeve të peshkaqenëve përgjatë bregut lindor të Australisë, tre prej tyre në Sidnei.

Të hënën, një surfist në plazhet veriore të Sidneit i shpëtoi një peshkaqeni pa lëndime fizike, ndërsa disa orë më vonë, një 27-vjeçar pësoi lëndime që ndryshojnë jetën pas një sulmi në një plazh aty pranë.

Një ditë më pas, një burrë 39 vjeç në Mid North Coast të New South Wales u nxor nga uji pasi mbijetoi një kafshim nga peshkaqeni. Ai pësoi plagë në gjoks dhe u dërgua në spital.

Ekspertët thonë se sulmet pasuan disa ditë reshje të dendura shiu, të cilat krijuan një “stuhi perfekte” kushtesh për peshkaqenët dem, të cilët preferojnë ujëra të turbullta.

Sipas tyre, reshjet gjithashtu çojnë lëndë ushqyese në det, duke i tërhequr peshkaqenët më afër bregut.

Plazhet në të gjithë Sidnein u mbyllën përkohësisht për sigurinë e publikut, por shumë prej tyre janë rishapur për fundjavën e festës publike të Ditës së Australisë.

Të fundit nga rubrika