Prokuroria autorizon Policinë për të hetuar mospërputhjen e votave në Drenas

Prokuroria Themelore në Prishtinë  ka njoftuar se ka vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.

Sipas njoftimit, për shkak të këtyre mospërputhjeve, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të grumbullojë informacione, të evidentojë shkeljet e mundshme nga personat përgjegjës dhe të sigurojë prova lidhur me këtë çështje.

“Prishtinë 26.01.2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhjet lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit. Marrë parasysh këtë rrethanë prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka theksuar se po ndjek nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat e tjera nën kompetencën e saj, dhe pas përfundimit të tij do të analizohen të gjitha rrethanat për të vlerësuar mundësinë e lëshimit të autorizimeve të tjera për hetim.

Të fundit nga rubrika