Në shumicën e pikave kufitare në Kosovë që nga ora 12:00 është ndërprerë qarkullimi i kamionëve.
Kjo për shkak se transportuesit e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Bosnjë dhe Hercegovinës po kundërshtojnë me protesta sistemin e ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve.
Ky sistem nënkupton se transportuesit nga vendet jashtë BE-së mund të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
E njoftimin për pikat kufitare me Serbinë e Malin e Zi e ka dhënë Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Kufijve.
“Këto protesta do të ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit, mallrave dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të RKS me vendet e rajonit, që janë përfshirë në protesta”-Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar
Këtë njoftim me shqetësim të madh e kanë pritur Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë të cilët kanë kërkuar që Qeveria të kontakotjë me BE-në në mënyrë që të mos ndalohet eksporti dhe importi i mallrave nga Evropa.
“Me këtë rast, DHTIK, i bën thirrje Institucioneve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërkaq Bashkimit Evropian i bëjmë thirrje që të ndërmarrë veprime urgjente për tejkalimin e kësaj situate të shkaktuar nga sistemi i njohur si EES (Entry/Exit System), që u vendos në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12 tetor 2025”-Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë
E nga BE-ja thonë se po punojnë që ta zgjidhin situatën.
“Jemi në dijeni se për një numër personash që nuk janë punonjës ndër-kufitar, mund të ketë nevojë që të qëndrojnë për më shumë se 90 ditë brenda periudhës 180 ditore. Kjo përfshinë profesionistët në lëvizje, sikur vozitësit e kamionëve por edhe atletë e artistë që janë në turne. Kjo ka të bëjë edhe me rregullat kombëtare dhe marrëveshjet ekzistuese dypalëshe, dhe kjo është një çështje që ka vëmendjen tonë të plotë. Dhe kjo është diçka për të cilën jemi duke punuar, gjithashtu edhe në kontekst të përgatitjeve për strategjinë e vizave që parashihet më vonë gjatë kësaj jave”-Markus Lammert – Zëdhënës i Bashkimit Evropian
Transportuesit kanë paralajmëruar se kjo protestë mund të zgjasë shtatë ditë.