Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një takim të përbashkët me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit thuhet se temat kryesore ishin çështjet aktuale, përmbyllja e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe formimi i institucioneve në vijim, prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.
“Në takim kryeministri theksoi përkushtimin ndaj sundimit të ligjit gjithandej Kosovës pa diskriminim e privilegje për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe progresin shoqëror e avancimin demokratik, si dhe angazhimin për paqe e siguri me rend publik dhe kufij të mbrojtur dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhet në komunikatë.