Gjendja nën kontroll në Viti pas reshjeve, rrugët mbesin të qarkullueshme

Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se pavarësisht reshjeve të pandërprera të shiut gjatë gjithë natës, gjendja aktuale është stabile dhe të gjitha rrugët janë të qarkullueshme.

Sipas njoftimit, në disa segmente rrugore ka pasur depërtim të ujit, kryesisht në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc, ndaj u bëhet thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, ka njoftuar se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet vazhdimisht në terren dhe në bashkëpunim me stafin komunal po intervenon për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përkeqësime eventuale.

Ai ka bërë të ditur se është intervenuar edhe në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ndodhur shembje e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, kjo rrugë aktualisht është e qarkullueshme.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht në zonat ku ka prani të ujit në rrugë, ndërsa ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo nevojë.

Të fundit nga rubrika