Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi ka reaguar me një mesazh reflektues në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, duke rikujtuar se sot bëhen 81 vjet nga çlirimi i Aushvici.
Në postimin e tij në Facebook, Fetoshi thekson se pas çlirimit të Aushvicit, bota shpresoi se nuk do të përballej më me tragjedi si Srebrenica, Krusha, Fortesa apo Meja, në zemër të Evropës.
“Sot, në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, nderimi për viktimat e krimit më të madh të shekullit XX, na fton sërish në reflektim dhe mobilizim ndaj shenjave të katastrofës”, ka shkruar Fetoshi.
Ai ka theksuar se Holokausti nuk ka nisur me vrasje masive apo dhoma gazi, por me propagandë, urrejtje dhe demonizim të tjetrit, duke paralajmëruar se edhe sot dezinformimi, narrativat nxitëse, instrumentalizimi dhe viktimizimi po shndërrohen në “armë” që kërcënojnë lirinë, paqen dhe sigurinë globale.
Duke iu referuar kontekstit të Kosovës, Fetoshi ka vlerësuar se përkujtimi i Holokaustit është një akt nderimi dhe krenarie, i lidhur drejtpërdrejt me përvojën e dhimbshme të luftës dhe trashëgiminë etike që ka dalë prej saj.