Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar nga Gjakova se asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban, nuk qëndron mbi ligjin, duke theksuar se integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm për të gjithë.
Në një deklaratë për media, Pula ka bërë të ditur se gjatë procesit të fundit zgjedhor, ajo së bashku me ekipin e saj kanë monitoruar parregullsi që janë evidentuar pas përfundimit të zgjedhjeve dhe që janë raportuar pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës, me intensitet të ndryshëm nga një komunë në tjetrën.
“Gjatë procesit të fundit zgjedhor unë si koordinatore bashkë me ekipin tim kemi monitoruar parregullsi të cilat na u shfaqën pas përfundimit të zgjedhjeve, të raportuara në shkallë pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës, diku më shumë e diku më pak, e që janë të njohura për të gjithë. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore janë kryer arrestime duke përfshirë individë që shërbenin si komisionerë, të cilët dyshohet se kanë manipuluar votat. Këto veprime nuk janë simbolike.
Ato janë të bazuara në prova, janë të nxitura nga ligji dhe të ekzekutuara në përputhje me procedurat ligjore. Le të jemi të qartë, asnjë individ pavarësisht pozitës apo funksionit nuk qëndron mbi ligjin dhe integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm për të tërët. Prokurori i shtetit deri më tani ka demonstruar profesionalizëm, paanashmëri dhe guxim institucional në adresimin e këtyre veprave penale”, ka thënë Pula.
Ajo ka vënë në pah rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies si mekanizmat më të fuqishëm kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, përfshirë edhe rastet e manipulimit të votave.
“Transparenca dhe llogaridhënia janë ilaçi më i fortë ndaj korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, sikurse është edhe kundër votave të cilat tanimë janë të manipuluara. Veprimet tona çojnë mesazh të qartë dhe të pakontestueshëm: veprat penale kundër të drejtave të votimit do të zbulohen, përveç atyre që janë zbuluar, e që është falsifikimi i rezultateve të votimit”, theksoi Pula.