Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka shpallur jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të miratuar më 10 tetor 2025.
Vendimi është marrë pas kërkesës së parashtruar nga deputeti Igor Simiq dhe nëntë deputetë të tjerë, të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e procesverbaleve të seancës së Kuvendit të mbajtur më 10 tetor 2025.
Me 6 vota për dhe 1 kundër, Gjykata e ka shpallur kërkesën të pranueshme, ndërsa me 5 vota për dhe 2 kundër ka konstatuar se vendimi i Kuvendit nuk është në përputhje me paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit, që rregullon procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve.
Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se, bazuar në parimin e sigurisë juridike, aktgjykimi nuk do të ketë efekt prapaveprues në rrethanat konkrete të rastit.
Po ashtu, kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar njëzëri.
Sipas aktgjykimit, kontesti lidhet me mënyrën e zgjedhjes së deputetit Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, pas dështimit të disa raundeve të votimit për kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.
Gjykata sqaron se procedura e shortit, e aplikuar në këtë rast, është përdorur në mënyrë të parregullt dhe jashtë rrethanave përjashtimore të parapara me Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata ka theksuar se e drejta e propozimit për nënkryetar nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë i takon shumicës së deputetëve të atij komuniteti, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik. Ky standard, sipas Gjykatës, është thelbësor për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe për garantimin e përfaqësimit të tyre efektiv në Kryesinë e Kuvendit.
Po ashtu, aktgjykimi nënvizon se mekanizmat e debllokimit, përfshirë kufizimin e votimit deri në tri herë për të njëjtin kandidat dhe procedurën e shortit, duhet të përdoren vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe ekskluzivisht për qëllimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese ka ritheksuar rëndësinë e respektimit të procedurave kushtetuese dhe rregullatore në proceset parlamentare, si dhe përgjegjësinë e të gjitha palëve për të vepruar në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.