Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e konsideroi zgjedhjen e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit antikushtetuese, duke e cilësuar atë të gabuar dhe në shpërputhje me Kushtetutën.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se Gjykata nuk ka mandat për të interpretuar Rregulloren e Punës së Kuvendit, pasi interpretimi përfundimtar sipas nenit 16, paragrafi 4 i Rregullores i takon Kryetarit të Kuvendit gjatë seancave plenare.
Ai shton se vendimi i Gjykatës nuk konstatoi shkelje kushtetuese, por interpretoi frymën e Rregullores, çka sipas tij është jashtë mandatit të saj.
“E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, ka shkruar ai.
Basha thekson se Rashiq nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga komuniteti serb, gjë që sipas tij konfirmon refuzimin për të propozuar kandidatin.
Ai shpjegon se për tri herë radhazi ka kërkuar që të propozohej deputeti i vetëm që nuk ishte nënshtruar votimit, por shumica serbe ka refuzuar, duke kërkuar të kthehej radha e votimit tek deputetët e njëjtë nga Lista Serbe.
“Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar reagimin e tij Basha.