“Nëse vjen si propozim, po” – komunitetet shprehin mbështetje për Vjosa Osmanin si presidente

Përfaqësues të komuniteteve joshumicë kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur kandidaten për presidente të Kosovës që do të propozohet nga shumica parlamentare, duke mos përjashtuar edhe një mandat të dytë për presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Deputeti Veton Berisha tha se komunitetet nuk kanë qenë asnjëherë pengesë për funksionimin e institucioneve të shtetit dhe se vota e tyre do të jepet për të shmangur krizën politike dhe zgjedhjet e reja.

“Si parti asnjëherë nuk kemi qenë pengues kur ka qenë në pyetje Kosova. Nëse jam deputeti i 61-të, do ta votoj qeverinë sepse nuk dua që shteti im të shkojë në zgjedhje. Edhe për rastin e presidentes deklaroj se jam për”, tha Berisha.

Ai shtoi se edhe nëse nuk është pjesë e qeverisë, do të vazhdojë ta përkrahë funksionimin institucional të vendit.

Nga ana tjetër, deputetja Emilja Rexhepi tha se komunitetet presin fillimisht propozimin zyrtar nga kryeministri Albin Kurti, para se të deklarohen përfundimisht për votën për presidente.

“E presim propozimin e kryeministrit për presidenten e Kosovës. Njëherë votohet Kuvendi, pastaj Qeveria dhe më pas Presidenti. Nëse vjen Vjosa Osmani si propozim për presidente, po – unë jam për dhe nuk e ndryshoj mendimin për asgjë”, deklaroi Rexhepi.

Ndërkaq, Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës tha se komuniteti që ai përfaqëson do ta mbështesë çdo kandidaturë për presidente që vjen nga shumica parlamentare.

“Jo vetëm kandidaturën e Vjosa Osmanit, por cilado kandidaturë që vjen nga propozimi i shumicës, ne do ta votojmë”, theksoi Galushi.

Të fundit nga rubrika