Këtë të enjte, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, do të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Seanca fillon nga ora 09:00.
Në këtë rast, Prokuroria ngarkon të akuzuarit për përgatitjen dhe kryerjen e vrasjes, ndërsa Tom Dodaj është i përfshirë për shitjen e armës me të cilën është kryer krimi.
Për Tom Dodajn, Gjykata e Apelit ka ulur dënimin nga 5 vite burgim dhe 5,000 euro gjobë në 3 vite burgim dhe 3,000 euro gjobë.
Lidhur me vendimin mbi dënimin, Apeli konstatoi se pretendimet e mbrojtjes për një dënim më të butë janë të bazuara.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.
E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Shitja e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj, Apeli ia ul dënimin Tom Dodajt