Nis pastrimi i Prishtinës, largohen edhe mbeturinat inerte nga “Pastrimi”

Pas shumë javësh në gjendje të rënduar, pjesa më e madhe e kontejnerëve të kryeqytetit sot janë bosh.

Nga to janë larguar edhe mbeturinat inerte e vëllimore si krevat, kolltukë e dyshek shtrati çka u panë me shumicë javëve të fundit.

Kjo ngase Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vendosur që këtë detyrë, t’ia jap ndërmarrjes “Pastrimi” për dy vjetët e ardhshme.

“KRM Pastrimi Sh.A. ka kërkuar mbështetje nga Komuna e Prishtinës për shkak të pamundësisë teknike momentale për të ofruar kapacitet të plotë operativ në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, sot ka nisur angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në terren për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte (ndërtimore) dhe mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit.

Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve operative në terren, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më efikase dhe në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rama.

E ditëve në vazhdim, pritet që “Pastrimi” të publikojë oraret për kohën e grumbullimit dhe vendet ku ato të lihen.

“Sa i përket grumbullimit të mbeturinave inerte dhe vëllimore, pas krijimit të kushteve operative, KRM “Pastrimi” Sh.A. ka nisur që mbrëmë, e mërkurë, në mënyrë intensive me largimin e këtyre mbeturinave në disa zona të Kryeqytetit. Ky proces do të vazhdojë sipas një dinamike të planifikuar dhe në koordinim të vazhdueshëm me Komunën, ndërsa qytetarët do të informohen me kohë për lokacionet dhe orarin e grumbullimit”.

Ky veprim i Ramës vjen disa ditë pasi dha dy kontrata të negociuara ndaj pesë operatorëve privat, të ndarë në llote për grumbullimin e mbeturinave.

Për dy kontratat në vlerë afër një milion euro, dy pika kanë ngjallur konfuzitet.

Bëhet fjalë për llotin 1, e cila ka të bëj me furnizimin, transportin dhe montimin e TV Smart si dhe furnizimin, transportin dhe montimin e shtëpizave.

Nga Zyra e Prokurimit të Komunës kanë  shpjeguar se çka nënkuton edhe kjo pjesë e kontratës.

“Do të ketë një qendër kontrolli dhe komandimi në ndërmarrjen Pastrimi si dhe një qendër tjetër në Komunë.

Këto pajisje janë të dedikuara për funksionimin e qendrës së monitorimit dhe menaxhimit të kontratës, përmes së cilës e gjithë makineria do të jetë nën monitorim të plotë. Menaxhimi dhe mbikëqyrja e operacioneve do të realizohen nga kjo qendër menaxhuese”, kanë thënë nga komuna.

Mirëpo, kritikat nuk i ka kursyer Lëvizja Vetëvendosje e cila konsideron se ndërmarrja “Pastrimi” do duhej të ishte prioritet.

“Edhe mandatin e kaluar por edhe këtë mandat jemi kundër operimit të operatorëve privat. Ndërmarrja ‘Pastrimi” është e vjetër dhe është publike dhe mendoj se rrjedhimisht, operimin duhet ta bëjë ndërmarrja publike dhe jo siç po vepron Rama e që po mendoj se po e bën për interes vetjak ose partiak”, ka thënë Besart Krasniqi, asamblist i VV-së.

Për dy kontratat e negociuara, Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë bëri kallëzim penal ndaj Ramës për formën se si ato u dhanë, pa kaluar në Kuvendin Komunal.

Të fundit nga rubrika