Filmi shqiptar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm ndërkombëtar duke u vlerësuar me çmim në festivalin prestigjioz “Sundance”, në kategorinë “World Dramatic Competition”.
Filmi u rendit në katër filmat më të mirë të kësaj kategorie, në një konkurrencë të fortë ku garonin gjithsej dhjetë filma nga e gjithë bota, duke e konfirmuar edhe një herë praninë e kinemasë shqiptare në skenën ndërkombëtare, njofton Dukagjini.
“Shame and Money” trajton historinë e një burri të përkushtuar ndaj familjes, i cili përpiqet me çdo kusht të sigurojë jetesën, ndërsa presionet financiare rriten dita-ditës. Edhe pse ndihma i ofrohet nga nëna dhe kunati, pranimi i saj përbën një plagë për dinjitetin e tij, duke e vendosur personazhin përballë një konflikti të thellë të brendshëm mes nevojës dhe krenarisë.
Filmi është shkruar nga vetë Visar Morina në bashkëpunim me Doruntina Bashën, ndërsa në role kryesore dhe dytësore paraqiten Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Tristan Halilaj, Kumrije Hoxha, Labinot Lajçi dhe Rebeka Qena.
“Shame and Money” pati premierën botërore në Sundance 2026, duke shënuar projektin e dytë të Morinës që konkurron në këtë festival elitar, pas filmit të tij “Exile”, i cili u shfaq në Sundance në vitin 2020.
