Rusia ka rënë dakord të ndalë përkohësisht sulmet ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, deri të dielën, pas një kërkese personale nga presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur Kremlini.
Presidenti amerikan deklaroi gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë se homologu i tij rus, Vladimir Putin, kishte pranuar një pauzë njëjavore të sulmeve ndaj qyteteve kryesore të Ukrainës, përfshirë Kievin, për shkak të temperaturave ekstreme të dimrit, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi pjesërisht deklaratat e Trump, duke thënë se Moska ka pranuar një “kërkesë personale” të presidentit amerikan për të ndalur goditjet ndaj Kievit deri të dielën, me qëllim “krijimin e kushteve të favorshme për negociata”.
Trump nuk bëri të ditur se kur kishte zhvilluar bisedën me Putinin. Ndërkohë, gjatë natës nga e enjtja në të premte nuk janë raportuar sulme ndaj Kievit.
Peskov nuk sqaroi nëse marrëveshja përfshin edhe qytete të tjera të Ukrainës apo nëse pauza vlen për të gjitha sulmet, apo vetëm për ato që synojnë infrastrukturën energjetike.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar mungesa të mëdha të energjisë elektrike në shumë rajone të vendit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi Trump për përpjekjet e tij, duke thënë se një ndalim i përkohshëm i sulmeve gjatë dimrit ekstrem mund të ndihmojë në mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike, të cilën e cilësoi si “themel të jetës”.
“Nëse Rusia nuk godet infrastrukturën tonë energjetike, as Ukraina nuk do të ndërmarrë hapa përkatës,” deklaroi Zelensky, duke shtuar se iniciativa për pauzën ka ardhur nga pala amerikane dhe se nuk ka pasur marrëveshje direkte mes Kievit dhe Moskës.
Ai bëri të ditur gjithashtu se diskutimet për një ndalim të përkohshëm të sulmeve ndaj objekteve energjetike janë zhvilluar gjatë takimeve trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi javën e kaluar.
Megjithatë, pavarësisht pauzës së raportuar ndaj energjisë, Ukraina njoftoi se Rusia ka vijuar sulmet ndaj rrugëve logjistike dhe infrastrukturës së transportit. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë natës Rusia ka lëshuar një raketë dhe dhjetëra dronë në disa rajone të vendit.
Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet kanë dëmtuar objekte hekurudhore dhe infrastruktura civile, por nuk janë raportuar viktima.
Përpjekjet e mëparshme për armëpushim të përkohshëm mes Rusisë dhe Ukrainës kanë dështuar vazhdimisht, me palët që kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve.