Publikohet dosja më të madhe deri më tani e dokumenteve për Epstein, gjithsej 3 milionë faqe

Departamenti i Drejtësisë i Amerikës publikoi të premten një sasi shumë më të madhe dokumentesh nga dosjet hetimore për Jeffrey Epstein, duke rifilluar zbulimet në kuadër të një ligji që synon të tregojë se çfarë dinte qeveria për abuzimet seksuale të financierit milioner ndaj vajzave të mitura dhe lidhjet e tij me persona të pasur e të fuqishëm, përfshirë Donald Trump dhe Bill Clinton.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, tha se departamenti do të publikojë mbi 3 milionë faqe dokumentesh, së bashku me më shumë se 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Dosjet, të publikuara në faqen zyrtare të departamentit, përfshijnë një pjesë të miliona faqeve që zyrtarët kishin thënë se ishin mbajtur jashtë publikimit fillestar në dhjetor.

Në mesin e dokumenteve ka materiale që lidhen me disa prej bashkëpunëtorëve dhe miqve të famshëm të Epstein, përfshirë Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew i Britanisë, si dhe korrespondencë me email mes Epstein dhe Elon Musk dhe kontakteve të tjera të njohura nga spektri politik dhe ekonomik.

Dokumentet janë publikuar në bazë të “Epstein Files Transparency Act”, një ligj i miratuar pas muajsh presioni publik dhe politik, i cili kërkon që qeveria të hapë dosjet mbi financierin e ndjerë dhe bashkëpunëtoren e tij të ngushtë dhe ish-të dashurën, Ghislaine Maxwell. Ligjvënësit kishin shprehur pakënaqësi kur Departamenti i Drejtësisë publikoi vetëm një pjesë të kufizuar të dokumenteve muajin e kaluar, por zyrtarët thanë se nevojitej më shumë kohë për të shqyrtuar dokumente shtesë dhe për t’u siguruar që informacioni sensitiv për viktimat të mos bëhej publik.

Publikimi i së premtes përfaqëson nxjerrjen më të madhe të dokumenteve deri më tani për një çështje që administrata Trump ka pasur vështirësi ta lërë pas, për shkak të lidhjeve të mëparshme të presidentit me Epstein. Hetimet penale ndaj financierit kanë nxitur prej kohësh interesin e hetuesve online, teoricienëve të konspiracionit dhe të tjerëve që kanë dyshuar për fshehje nga qeveria dhe kanë kërkuar transparencë të plotë — kërkesa që Blanche pranoi se mund të mos plotësohen plotësisht as me këtë publikim të fundit.

“Ka një uri, ose etje, për informacion që nuk mendoj se do të shuhet nga shqyrtimi i këtyre dokumenteve,” tha ai.

Pasi humbi afatin e 19 dhjetorit të vendosur nga Kongresi për publikimin e të gjitha dosjeve, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se angazhoi qindra juristë për të shqyrtuar materialet dhe për të përcaktuar se çfarë duhej redaktuar ose mbuluar. Departamenti mohoi çdo përpjekje për të mbrojtur Trumpin nga ndonjë siklet i mundshëm, ndërsa vetë Trump ka deklaruar se kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein vite më parë, pas një miqësie të hershme.

Miqtë e famshëm të Epstein

Paketa e fundit e dokumenteve përfshin korrespondencë me ose rreth disa prej miqve të Epstein.

Dosjet përmbajnë mijëra referenca për Trumpin, përfshirë email-e ku Epstein dhe të tjerë ndanin artikuj lajmesh për të, komentonin politikat apo qëndrimet e tij politike, ose bënin thashetheme për të dhe familjen e tij. Gjithashtu përfshihet një tabelë e përpiluar gushtin e kaluar që përmbledh thirrje në Qendrën Kombëtare të Operacioneve për Kërcënime të FBI-së ose në një linjë telefonike të krijuar nga prokurorët, nga persona që pretendonin — pa prova mbështetëse — se kishin dijeni për shkelje të mundshme nga Trump.

Emri i Mountbatten-Windsor shfaqet qindra herë në dokumente, herë në artikuj lajmesh, herë në korrespondencë private të Epstein dhe në lista të të ftuarve për darka të organizuara prej tij. Disa dokumente tregojnë përpjekje të prokurorëve në Nju Jork për ta bindur ish-princin të pranonte të intervistohej si pjesë e hetimit për trafikim seksual ndaj Epstein.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se Elon Musk, themeluesi miliarder i Tesla-s, ka kontaktuar Epstein të paktën dy herë për të planifikuar vizita në ishullin e Karaibeve që Epstein zotëronte, ku pretendohet se kanë ndodhur shumë nga abuzimet seksuale.

Në një shkëmbim mesazhesh në vitin 2012, Epstein e pyeti Muskun se sa persona do të dëshironte të transportoheshin me helikopter në ishull.

“Me gjasë vetëm Talulah dhe unë,” u përgjigj Musk, duke iu referuar partneres së tij të atëhershme, aktores Talulah Riley. “Cila ditë/natë do të jetë festa më e çmendur në ishullin tonë?”

Musk i shkroi sërish Epstein-it përpara një udhëtimi të planifikuar në Karaibe në vitin 2013. “Do të jem në zonën BVI/St Bart’s gjatë festave,” shkroi ai. “A ka ndonjë kohë të mirë për të ardhur për vizitë?” Epstein e ftoi pas Vitit të Ri.

Nuk është e qartë nëse këto vizita në ishull kanë ndodhur. Zëdhënës të kompanive të Musk, Tesla dhe X, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Musk ka deklaruar se i ka refuzuar vazhdimisht ftesat e Epstein.
“Epstein u përpoq të më bindte të shkoja në ishullin e tij dhe unë REFUZOVA,” shkroi ai në platformën X në vitin 2025, kur demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan një kalendar të Epstein ku përmendej një vizitë e mundshme e Musk.

Sipas dokumenteve, Epstein duket se ka tentuar gjithashtu të lidhë bashkëpronarët e New York Giants, Steve Tisch, me gra. Në një shkëmbim mesazhesh, Tisch i tha Epstein se kishte ngrënë drekë me një shoqe të një asistenteje të Epstein, duke e përshkruar si “një vajzë shumë e ëmbël” dhe duke pyetur nëse Epstein dinte diçka për të.

“Jo, por do të pyes,” u përgjigj Epstein, përpara se të pyeste në mënyrë vulgare nëse Tisch kishte kontaktuar një grua tjetër, duke përshkruar tiparet e saj fizike.

Në një deklaratë, Tisch tha se kishte pasur një “lidhje të shkurtër” me Epstein, ku kishin komunikuar përmes email-it për gra të rritura dhe tema të tjera. Ai shtoi se “kurrë nuk ka shkuar në ishullin e tij” dhe se “e pendon thellësisht” këtë lidhje.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se Steve Bannon, aktivist konservator dhe ish-strateg i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të parë të Trump, ka shkëmbyer batuta politike me Epstein, ka diskutuar takime për mëngjes, drekë apo darkë dhe, më 29 mars 2019, e ka pyetur nëse mund t’ia siguronte avionin për ta marrë në Romë.

Epstein i tha se piloti dhe ekuipazhi po bënin më të mirën për ta organizuar fluturimin, por nëse Bannon do të gjente një fluturim charter, “jam i lumtur ta paguaj.” Duke qenë me sa duket në Francë në atë kohë, Epstein i dërgoi një mesazh: “Djemtë e mi mund të të marrin. Eja për darkë.” Dokumentet nuk tregojnë se si përfundoi kjo çështje.

Në dhjetor 2012, Epstein ftoi Howard Lutnick, tashmë sekretar i Tregtisë në administratën Trump, për drekë në ishullin e tij privat, sipas dokumenteve. Gruaja e Lutnick pranoi ftesën dhe tha se do të mbërrinin me jaht së bashku me fëmijët. Në një rast tjetër në vitin 2011, dy burrat kishin pirë pije së bashku, sipas një orari të ndarë me Epstein.

Lutnick ka deklaruar se i ka ndërprerë marrëdhëniet me Epstein shumë kohë më parë. Një zëdhënës i Departamentit të Tregtisë tha se Lutnick kishte pasur “ndërveprime të kufizuara me zotin Epstein në prani të gruas së tij dhe kurrë nuk është akuzuar për shkelje.”

Një tjetër emër që del në dokumente është Kathy Ruemmler, ish-këshilltare ligjore e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës Obama. Në një nga disa shkëmbime mesazhesh, Epstein i shkroi Ruemmler duke sugjeruar që demokratët të ndalonin demonizimin e Trumpit si një figurë e tipit mafioz, edhe pse vetë e përshkruante presidentin si një “maniak”.

Një zëdhënës i Goldman Sachs, ku Ruemmler është këshilltare e përgjithshme ligjore dhe drejtoreshë juridike, tha në një deklaratë se ajo kishte pasur një lidhje profesionale me Jeffrey Epstein kur ishte avokate në praktikë private dhe se është pishman që e ka njohur.

Shija e redaktorit

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Të fundit nga rubrika