Kurti: Zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit, frymëzim i luftës çlirimtare

Sot është mbajtur Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, në Teatrin “Avdush Hasani”. Në kete akademi u theksua rëndësia dhe sakrifica e veprimtarisë së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhes dhe Hakif Zejnullaut.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ne fjalen e tij tha se kjo ditë e rezervuar për Zahir Pajazitin dhe luftëtarë e tjerë.

Kurti theksoi se zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit.

“Që prej 29 vitesh, dita e fundit e janarit përherë është rezervuar për ta kujtuar Zahir Pajazitin me shokë, një ndër personalitetet më të shquara dhe më të veçanta në luftën për çlirimin e Kosovës. Në respekt të kësaj tradite tashmë të institucionalizuar, me konsideratat më të larta për dëshmorët, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot më 30 janar 2026, jam i nderuar të jem këtu në Llap mes familjeve të dëshmorëve dhe ju bashkëluftëtarëve të tyre për homazhe dhe këtë akademi përkujtimore. Këtë vit, Zahirin me shokë po e kujtojmë me këtë akademi përkujtimore këtu në Podujevë, e vitin tjetër, që shënon përvjetorin jubilar, 30-vjetorin, do t’i nderojmë e lartësojmë nga Prishtina nën patronazhin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës. Sot janë bërë 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, më 31 janar 1997. Por, çfarë dhe kë kujtojmë në të vërtetë në këtë rast? Kush ishin këta njerëz dhe cila është koha e tyre? Qysh prej krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe gjatë tërë shekullit XX, sfida dhe synimi kryesor për shqiptarët ishte çlirimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimi politik me Shqipërinë. Në këtë periudhë të gjatë, rreth tetë dekadëshe, të gjithë ata që janë angazhuar për këtë qëllim sipëror kombëtar e politik, kanë pasur dy rrugë të ndryshme, ndonëse përplotësuese të njëra-tjetrës: Rrugën e angazhimit politik, qoftë ai brenda apo jashtë institucioneve të sistemit dhe rrugën e kryengritjes së armatosur e të luftës çlirimtare”, tha ai.

Kurti shtoi se djemtë dhe vajzat e Llapit kanë lënë mbrapa një histori të jashtëzakonshme të përpjekjeve dhe të flijimit të tyre për lirinë e Kosovës.

“Në të dyja këto rrugë, historia e ne shqiptarëve ka mbajtur shënim për ngjarje dhe personalitete që jo vetëm me veprën, por edhe me jetën e tyre, i kanë shënjuar të gjitha udhëtimet nëpër to. Njerëz që me angazhimin e tyre total, me dedikimin e plotë të vetes së tyre në kuptimin politik dhe njerëzor, janë përkushtuar për lirinë e atdheut tonë të përbashkët, si vendi ku secili njeri mëson ta dojë botën. Në harkun e dekadës kur kulmoi përpjekja e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, në dhjetë vitet e fundit të shekullit XX, individë dhe grupe shokësh të organizuar politikisht dhe ushtarakisht rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e përmbyllën kapitullin aq të vështirë dhe të lavdishëm të luftës për liri.
Zona e Llapit, e cila kishte qenë aq e pjellshme për organizatat ilegale, nga Çeta e Llapit e tutje, i dha Kosovës një prej grupeve më mirë të organizuara të UÇK-së: Grupin e Zahir Pajazitit me shokë, që në vitet e luftës u shumëfishua në Zonën Operative të Llapit. Nga oda e Sabit Zejnullahut, ku zhvilloheshin takimet e këtij grupi, deri tek kjo akademi përkujtimore sot në teatrin e qytetit në Podujevë, djemtë dhe vajzat e Llapit kanë lënë mbrapa një histori vërtet të jashtëzakonshme të përpjekjeve dhe të flijimit të tyre për lirinë e Kosovës. E nesër do ta kujtojmë edhe Ylfete Humollin në përvjetorin e 36-të të vrasjes së saj“, tha Kurti.

Kryetari i Komunes së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se rënia e tyre heroike ishte frymëzim për mijëra të rinj e të reja që më vonë i ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi mbledhur këtu për t’i nderuar me respekt e përulje bijtë më të mirë të vendit: Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën. Sot nuk kujtojmë vetëm një datë, por i kujtojmë një ideal, një betim dhe një sakrificë që i dha drejtim historisë sonë kombëtare. Kjo ditë është ditë reflektimi, ditë krenarie dhe ditë përgjegjësie. Sepse gjaku i dëshmorëve nuk është vetëm histori. Është themeli mbi të cilin u ndërtua liria jonë. Në një kohë të errët për Kosovën, ku dhuna, represioni dhe mohimi i të drejtave elementare ishin realiteti i përditshëm, këta tre burra u shndërruan në simbol të qëndresës dhe organizimit të armatosur. Ata ishin ndër të parët që e kuptuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, me vendosmëri dhe sakrificë. Rënia e tyre heroike ishte kushtrim dhe frymëzim për mijëra të rinj e të reja që më vonë do t’i bashkoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte dëshmi se ideali nuk vritet, se fryma e lirisë nuk shuhet dhe se populli që ka bij të tillë nuk mund të mposhtet. Në këtë ditë kujtese të 29-vjetorit të rënies së tyre, ndjejmë dhimbje për humbjen e tyre, por mbi të gjitha ndjejmë krenari për guximin e për vendosmërinë që kishin për të luftuar deri në frymën e fundit. Ata e vunë atdheun mbi gjithçka, edhe mbi jetën e tyre. Ata zgjodhën rrugën më të vështirë por më të drejtë, rrugën e lirisë. Të nderuar të pranishëm, kur kujtojmë Zahir Pajazitin, kujtojmë organizimin e tij, disiplinën dhe vizionin strategjik. Ai besonte thellë se vetëm rezistenca e vendosur do të nxirrte Kosovën nga robëria. Komandanti Zahir Pajaziti ishte simbol i vendosmërisë, guximit dhe luftëtarit. Zahiri ishte frymëzues i një gjenerate që i doli zot vendit në kohën më të rëndë. Emri i tij është i gdhendur në ndërgjegjen tonë kombëtare si një dritë që na udhëzon edhe sot. Kur e kujtojmë Hakif Zejnullahun, kujtojmë guximin, vendosmërinë dhe besnikërinë. Kur kujtojmë Edmond Hoxhën, kujtojmë energjinë rinore, idealizmin e gatishmërinë për të dhënë gjithçka për lirinë. Së bashku, ata formuan një treshe që historia jonë kombëtare do ta kujtojë përherë. Sot pas 29 vitesh, Kosova është e lirë“, thai.

Vëllai i Zahir Pajazitit, Bajram Pajaziti tha se vizioni i tyre i bëri prirës të rezistencës së armatosur.

“Është nder i madh sot që jam para jush sot për t’ju përshëndetë në këtë rast. Sot po kujtojmë tre heronjtë: Edmond Hoxhën, Hakif Zejnullahun dhe Zahir Pajazitin, të cilët ranë në altarin e lirisë në këtë ditë të vitit 1997. Vizioni i qartë çlirimtar, guximi dhe vendosmëria i bëri prirës të brezit të rezistencës së armatosur dhe grupeve të para guerile që hapën rrugën e luftës çlirimtare. Me gjakun e tyre vulosën rrugën e lirisë së Kosovës. Ata ishin dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u shndërruan në simbol të qëndresës aktive kundër pushtimit serbosllav. Njëherit u shndërruan edhe në frymëzim të pashuar për mijëra luftëtarë që iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Dua të them që periudha e Ushtrisë Çlirimtare është një epokë e lavdishme në historinë e popullit tonë çlirimtar. Prandaj kemi shumë respekt edhe duhet gjithmonë të respektojmë, të shkruajmë dhe të mbajmë mend për këta njerëz që na prunë nderin në këtë ditë. Lavdi e përjetshme emrit dhe veprës së të gjithë atyre që u sakrifikuan për këtë Kosovë të lirë dhe të pavarur”, tha ai.

Më 31 janar të vitit 1997, kanë rënë në një pritë të Policisë serbe dëshmorët e parë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullau. Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës./EO

Shija e redaktorit

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Të fundit nga rubrika