Tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK pas një incidenti me armë zjarri në lagjen Kodër e Trimave në Prishtinë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në rastin e ndodhur më 31 janar, në rrugën “Fahri Fazliu”, dyshohet se ka pasur të shtëna me armë mes dy grupeve personash.
Policia bën të ditur se në incident janë përfshirë katër persona të dyshuar dhe se pas përleshjes me armë, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka goditur me veturë një person tjetër, si dhe dy dëshmitarë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, një fishek dhe një predhë.
Të lënduarit, një i dyshuar dhe dy dëshmitarë, janë dërguar në QKUK. I dyshuari është mbajtur për trajtim, ndërsa dy dëshmitarët janë liruar pas ndihmës mjekësore.
Me vendim të prokurorit, i arrestuari është dërguar në mbajtje dhe rasti po trajtohet si “vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.