Një seri sulmesh vetëvrasëse dhe me armë në provincën jug-perëndimore të Pakistanit, Balochistan, ka shkaktuar vdekjen e 33 personave, përfshirë civilë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Forcat e sigurisë kanë vrarë 92 militantë gjatë përgjigjes ndaj sulmeve, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Sulmet, të kryera kryesisht nga grupi separatist Baloch Liberation Army (BLA), synuan civilë, burgje, stacione policore dhe instalacione paramilitare. Disa banka u plaçkitën dhe dhjetëra automjete u dogjën.
Grupi publikoi video që tregojnë militantë gra duke marrë pjesë në sulme, pjesë e përpjekjeve për propagandë.
Sulmet ndodhën pothuajse njëkohësisht në të gjithë provincën, duke shkaktuar pezullimin e shërbimeve hekurudhore dhe shpalljen e gjendjes emergjente në spitalet lokale.
Autoritetet thanë se shumica e sulmeve u penguan, por militantët arritën të lirojnë mbi 30 të burgosur në një burg në distriktin Mastung.
Ushtria dhe ministri i brendshëm Mohsin Naqvi thanë se sulmuesit kishin mbështetje nga India, akuza që Delhi e mohon. Pakistanezët theksojnë se Baloch separatistët dhe Talibanët pakistanezë përdorin territorin afgan për të sulmuar vendin, pretendim që Kabul e mohon.
Balochistan ka qenë prej dekadash skena e një kryengritjeje separatistësh që kërkojnë pavarësi nga qeveria qendrore e Pakistanit.
