Jeffrey Epstein ka dërguar pagesa në vlerë prej 75 mijë dollarësh drejt llogarive bankare të lidhura me Lord Peter Mandelson, sipas ekstrakteve bankare të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Dokumentet tregojnë se mes viteve 2003 dhe 2004, Epstein ka realizuar tri transferta nga 25 mijë dollarë secila, ku në përshkrim përmendet emri i Lord Mandelsonit. Këto të dhëna janë pjesë e miliona dokumenteve të publikuara së fundmi lidhur me financierin e ndjerë dhe abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein.
Lord Mandelson ka deklaruar se nuk ka asnjë kujtim apo dëshmi se ka marrë këto shuma dhe ka ngritur dyshime mbi autenticitetin e dokumenteve.
Ai ka përsëritur keqardhjen për lidhjen që ka pasur me Epstein, veçanërisht pas dënimit të tij, duke kërkuar falje “pa asnjë rezervë” ndaj grave dhe vajzave që kanë vuajtur nga abuzimet e Epstein.
Sipas dokumenteve, pagesa e parë, e datës 14 maj 2003, është dërguar në një llogari të Barclays ku figuron emri i Reinaldo Avila da Silva – partneri i Mandelsonit në atë kohë – ndërsa Peter Mandelson shënohet si përfitues.
Dy pagesat e tjera, të bëra në qershor 2004, janë dërguar në llogari të HSBC-së, ku Mandelson përmendet sërish si përfitues.
Nuk dihet nëse këto shuma kanë përfunduar realisht në llogaritë përkatëse.
Në dokumente përfshihen edhe imazhe të Lord Mandelsonit në rrethana private, përfshirë një fotografi të redaktuar ku ai shfaqet me të brendshme pranë një gruaje, identiteti i së cilës nuk dihet. Mandelson ka deklaruar se nuk e kujton vendin, kohën apo rrethanat e fotografisë.
Autoritetet theksojnë se përmendja ose shfaqja në këto dokumente nuk nënkupton automatikisht përfshirje në veprime të paligjshme.
Në dokumente përmendet edhe Reinaldo Avila da Silva, i cili në vitin 2009 ka marrë 10 mijë paund nga Epstein për një kurs osteopatie. I pyetur për këtë pagesë, Mandelson ka thënë se ka qenë “i qartë” për marrëdhënien e tij me Epstein dhe se nuk ka asgjë tjetër për të shtuar.
Lord Mandelson u emërua ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA në dhjetor 2024, por u shkarkua në shtatorin pasues pas zbulimeve të reja për vazhdimin e kontakteve me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008. Email-e të publikuara tregojnë se Mandelson i kishte dërguar mesazhe mbështetëse Epstein-it edhe pas këtij dënimi, raporton BBC.
Sekretari britanik i Strehimit, Steve Reed, ka deklaruar se qeveria nuk kishte dijeni për lidhje të mundshme financiare mes Mandelsonit dhe Epstein-it, duke shtuar se shkarkimi i tij erdhi për shkak të informacioneve që nuk ishin bërë të ditura më herët.
Jeffrey Epstein u dënua në vitin 2008 për përfshirje në shfrytëzim seksual të vajzave të mitura dhe vdiq në burg në vitin 2019, teksa priste gjykimin për akuza të reja për trafikim seksual.
Dosja Epstein: Çfarë tregojnë 3 milionë dokumente për Trumpin?