E diele ditë pushimi, por jo edhe për institucionet e drejtësisë në Mitrovicë.
43 persona u intervistuan për shkak të dyshimit për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Në Prokurorinë themelore të Mitrovicës kanë treguar më shumë detaje për aksionin.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar policinë që të intervistohen 43 kryesues të qendrave komunale të numrimit për shkak të manipulimit me vota në zgjedhje shumica nga ta janë intervistuar gjatë ditës së sotme dhe me vendim të prokurorit për 48 orë janë ndaluar 34 persona për 48 orë, për shkak të veprës penale falsifikim i rezultateve”, ka deklaruar Valon Preteni- zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Tutje Preteni ka treguar se për cilat komuna bëhet fjalë.
“Kemi parasysh këta janë kryesues të qendrave komunale të numrimit të komunave Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veriu, Leposaviq, Zubin potok dhe Zveçan”, ka theksuar ai.
Ndërkohë avokati mbrojtës i njërit prej të dyshuarve, Berat Peci tha se klienti i tij ka mohuar kategorikisht të gjitha pretendimet e prokurorisë.
Peci: Klienti im nuk ka dorë, as qëllim që të falsifikojë vota
“Klienti im sapo përfundoi deklaratën, i njëjti, i njëjti deklaroi se nuk ka dorë, as nuk ka pasur interes, as qëllim që të falsifikojë, as të anojë te kurrfarë kandidati apo te një subjekti i caktuar…Realisht, qëllimi është sepse dyshohet se kanë vendosur ose shtuar rezultat ose vota në favor të dikujt, por siç e ceku edhe i dyshuari të cilin e mbrojta unë, ai nuk ka pasur as qëllim e as ndonjë dëshirë apo ndonjë formë tjetër që t’i vendosë dikujt vota. Kandidati im ishte nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe nga provat që kishte me vete rezultonte se nga të gjitha kutitë ku kishte marrë pjesë si kryesues, rezultati ishte minimal, dy ose tri vota plus-minus, nën marzhën e gabimit që lejohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, ka deklaruar Peci.
Ditëve të fundit, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.
Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan, e në disa raste në prizren shkuan në minus 6 mijë për një individ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të shtunën.