ZRRE do të mbajë mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026 këtë të hënë, më 2 shkurt.
Sipas njoftimit, mbledhja do të zhvillohet nga ora 09:30, ndërsa në rend dite janë disa pika për funksionimin e tregut energjetik në Kosovë.
Në këtë mbledhje, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji pritet të shqyrtojë dhe miratojë:
- rendin e ditës,
- procesverbalin e mbledhjes së kaluar,
- kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO-s,
- si dhe caktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit
Në fund të mbledhjes janë paraparë edhe pika të tjera.

Kujtojmë se të enjten, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për rritje prej 21.3 për qind të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026.
Sipas KESCO-s, kjo kërkesë bazohet në rritjen e kostove operative dhe në nevojën për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë vitit të ardhshëm.
Megjithatë, në kuadër të procesit të shqyrtimit tatimor, ZRRE ka mundësinë që të refuzojë këtë propozim ose të bëjë përshtatje për tarifat përfundimtare.
Nëse ZRRE-ja aprovon kërkesën e KESCO-s këtë vit, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.
Në vitin 2023, tarifa u rrit për 15 për qind. Në vitin 2024, tarifat u ulën: për familjarët që shpenzonin mbi 800 kilovatë ulja ishte 8 për qind, ndërsa për konsumatorët komercialë dhe industrialë ulja ishte 3 për qind. Në vitin 2025, çmimi u rrit përsëri për 16.1 për qind.