Rihapet pika kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, por me kufizime të rrepta

Pika kufitare Rafah, lidhja kryesore mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, është rihapur për lëvizjen e personave, pas një mbylljeje që zgjati që nga maji i vitit 2024, kur ana palestineze u mor nën kontroll nga forcat izraelite.

Rihapja e vonuar është pjesë kyçe e fazës së parë të planit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili hyri në fuqi në muajin tetor.

Megjithatë, autoritetet izraelite kanë vendosur kufizime të forta: vetëm disa dhjetëra persona do të lejohen të kalojnë në të dy drejtimet çdo ditë. Ndërkohë, ndihma humanitare dhe mallrat komerciale ende nuk do të lejohen të hyjnë përmes kësaj pike.

Sipas të dhënave, rreth 20 mijë palestinezë të sëmurë dhe të plagosur presin të largohen nga Gaza për trajtim mjekësor. Raportet izraelite thonë se vetëm 50 pacientë, të shoqëruar nga dy familjarë secili, do të lejohen të dalin çdo ditë, ndërsa vetëm 50 nga dhjetëra mijëra palestinezë që u larguan gjatë luftës do të mund të kthehen.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të mbikëqyrë transferimin e pacientëve nga zonat nën kontrollin e Hamasit, duke i transportuar me autobus përmes territorit të kontrolluar nga ushtria izraelite deri në pikën kufitare.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se kushdo që kalon të ashtuquajturën “Vija e Verdhë”, që shënon zonën nën kontroll izraelit sipas marrëveshjes së armëpushimit, do të “përballet me zjarr”, raporton BBC.

Pika e Rafahut do të operohet nga mbikëqyrës të Bashkimit Evropian dhe staf lokal palestinez, ndërsa Izraeli do të kryejë kontrolle të sigurisë nga distanca. Autoritetet izraelite njoftuan se të dielën është realizuar me sukses një hapje testuese e pikës.

Një zyrtar palestinez, i njohur me përgatitjet, i tha BBC-së se rreth 30 anëtarë të stafit palestinez kanë mbërritur tashmë në anën egjiptiane, para fillimit të operimit të plotë.

Para se të merrej nën kontroll nga Izraeli në vitin 2024, Rafahu ishte pika kryesore e daljes për palestinezët dhe hyrja kryesore e ndihmave humanitare në Gaza.

Hapja e saj ishte vonuar edhe për shkak të kërkesës së Izraelit që Hamasi të gjente trupin e fundit të pengut izraelit të vdekur në Gaza. Javën e kaluar, ushtria izraelite njoftoi se kishte gjetur mbetjet mortore të policit Ran Gvili në veri të Gazës.

Që nga nisja e ofensivës izraelite, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ku u vranë rreth 1,200 persona në Izrael, në Gaza janë vrarë mbi 71,790 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.

Shija e redaktorit

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Të fundit nga rubrika