Rrugët se si kishin përfunduar 407 vota më shumë tek kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu, në vendvotimet e ndryshme në Podujevë, do të hetohen.
Lahu, është kandidati të cilit i janë hequr më së shumti vota pas rinumërimit në Podujevë, pasuar nga kandidatët nga partia e njëjtë Ejup Maqedonci, Adelina Stublla si edhe Ditjona Statovci e PDK-së.
“Gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.”-Prokuroria Themelore në Prishtinë
Paraprakisht, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte nisur hetime edhe për komunën e Obiliqit e të Drenasit, ku gjithashtu kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, kishin dalë me qindra vota më pak pas rinumërimit.
Hetimet kundër të dyshuarve për manipulime të rezultateve zgjedhore i nisi ex-officio Prokuroria Themelore në Prizren e drejtuar nga kryeprokurori Petrit Kryeziu.
Fillimisht, u intervistuan 109 persona të dyshuar, e më pas u caktua masa e paraburgimit për 23 prej tyre, e më vonë u dërguan në paraburgim edhe 5 të tjerë, përfshirë kryesuesin e KKZ-së.
Aksioni si model u zbatua edhe në komunat e tjera, përfshirë Malishevën, që përfshiu rreth 60 të arrestuar fillimisht, ndërsa pas intervistimit 15 kryesues përfunduan në paraburgim.
Ndërsa gjatë fundjavës, 43 persona u intervistuan nën dyshimet për manipulime në 4 komunat veriore të vendit dhe në Mitrovicë të Jugut.
Prej tyre, në masën e ndalimit prej 48 orë mbetën 34 persona, në pritje të hapave të tjerë nga Prokuroria.
Fetah Paçarizi i PDK-së, mbetet i padiskutueshëm në krye të listës së kandidatëve me vota të shtuara me gjithsej 6,869 vota.
Tek LDK-ja prin Xhavit Uka me 1628 vota, ndërsa tek Lëvizja Vetëvendosje, Taulant Kelmendi me gjithsej 923.