Edhe në Komunën e Gjilanit kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, i cili ka bërë të ditur se “kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”.
Ndryshe, më parë, në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë, disa komisionerë janë ndaluar ose arrestuar për dyshime të ngjashme lidhur me manipulime të votave.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në komunat e Podujevës, Pejës dhe Obiliqit.
Hetimet kundër të dyshuarve për manipulime të rezultateve zgjedhore i nisi Prokuroria Themelore në Prizren e drejtuar nga kryeprokurori Petrit Kryeziu.
Fillimisht, u intervistuan 109 persona të dyshuar, e më pas u caktua masa e paraburgimit për 23 prej tyre, e më vonë u dërguan në paraburgim edhe 5 të tjerë, përfshirë kryesuesin e KKZ-së.
Aksioni si model u zbatua edhe në komunat e tjera, përfshirë Malishevën, që përfshiu rreth 60 të arrestuar fillimisht, ndërsa pas intervistimit 15 kryesues përfunduan në paraburgim.
Ndërsa gjatë fundjavës, 43 persona u intervistuan nën dyshimet për manipulime në 4 komunat veriore të vendit dhe në Mitrovicë të Jugut.
Prej tyre, në masën e ndalimit prej 48 orë mbetën 34 persona, në pritje të hapave të tjerë nga Prokuroria.