Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, duke e cilësuar si një nga plagët më të rënda të pasluftës.
Në një deklaratë të publikuar nga Zyra e Presidentes në Facebook, Osmani ka theksuar se në ato ditë, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë nga shtëpitë e tyre.
Ajo ka shtuar se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit dhe një përpjekje brutale për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit.
“Ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti. Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme.
Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e presidentes.