Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, A.K. dhe B.C., për dyshimin se kanë kryer veprat penale të marrjes dhe dhënies së ryshfetit, si dhe të kalimit të paautorizuar të vendkalimeve kufitare.
Sipas aktakuzës, më 22 dhjetor, rreth orës 08:10, në pikën kufitare në Vërmicë, A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., për të lejuar këtë të fundit të hyjë në Kosovë, pavarësisht se hyrja i ishte refuzuar për mungesë dokumentacioni.
Pas marrjes së parave, A.K. e ka kaluar ilegalisht kufirin me veturën e tij, duke e çuar B.C. në Prizren. Me këto veprime, A.K. akuzohet për “marrje ryshfeti”, ndërsa B.C. për “dhënie ryshfeti” dhe “kalim të paautorizuar të vendkalimeve kufitare”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., me datë 22.12.2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren”.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit të çështjes dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Po ashtu, për A.K., prokuroria ka propozuar që dënimi të përfshijë edhe ndalimin për të ushtruar funksione në administratën publike ose në shërbimin publik.