KQZ nuk ia shpalli rezultatin përfundimtar, PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj.

Në vendimin e tij, PZAP vlerëson se ankesa e Listës Serbe është e bazuar, duke theksuar se qëndrimi i KQZ-së nuk është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Sipas PZAP-së, nuk ka bazë ligjore që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të shpallet pa përfshirë të gjitha subjektet politike. Paneli thekson se, duke pasur parasysh se janë përmbyllur të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet zgjedhore, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha partitë pa përjashtim.

Në vendim theksohet se shpallja e pjesshme e rezultateve bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Po ashtu, PZAP ka vlerësuar se vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe standardet e Komisionit të Venecias.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit 48-orësh në Gjykatën Supreme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Megjithatë, gjatë mbledhjes, anëtarët e KQZ-së miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive politike, përveç Listës Serbe, e cila konsiderohet subjekti kryesor politik i serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në atë mbledhje, tre anëtarë të KQZ-së votuan në favor të miratimit të listave, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan. Vendimi i KQZ-së ishte kritikuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, PZAP ka refuzuar si të pabazuara gjashtë ankesa të tjera, përfshirë dy ankesa të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Të fundit nga rubrika