Përplaset anija e Rojës Bregdetare dhe ajo e emigrantëve në Greqi,15 të vdekur

Të paktën 15 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të martën vonë, pasi një anije e Rojës Bregdetare greke u përplas me një mjet të shpejtë që transportonte emigrantë të parregullt pranë ishullit lindor të Detit Egje, Çios, njoftuan autoritetet.

Ngjarja ndodhi në momentin kur mjeti i shpejtë, që besohet se drejtohej nga kontrabandistë emigrantësh, po përpiqej të afrohej në zonën Myrsinidi në bregun lindor të ishullit për të zbarkuar pasagjerët.

Një zyrtar i lartë grek bëri të ditur se mjeti transportonte rreth 30 persona dhe ishte i pajisur me një motor të fuqishëm, kur u diktua nga një anije patrulluese e rojes bregdetare që operonte nga ishujt e afërt Oinousses, shkruan media greke, Kathimerini, transmeton Dukagjini.

Sipas zyrtarëve të Rojës Bregdetare, pas këtij momenti nisi një ndjekje, gjatë së cilës dy mjetet u përplasën.

Deri në mesnatë, autoritetet kishin konfirmuar 15 viktima – 11 burra dhe katër gra – duke paralajmëruar se bilanci i të vdekurve mund të rritet.

Menjëherë u nis një operacion i gjerë kërkimi dhe shpëtimi, në të cilin u angazhuan disa anije të rojes bregdetare dhe një mjet privat me zhytës civilë.

Ambulancat u pozicionuan në portin e Çios, duke transportuar të mbijetuarit e plagosur drejt Spitalit të Përgjithshëm Skylitseio të ishullit.

Deri në mesnatë, ekipet e emergjencës kishin dërguar në spital 24 emigrantë, përfshirë dy gra shtatzëna, si dhe dy oficerë të rojes bregdetare që kishin pësuar lëndime të lehta.

Zyrtarët e spitalit konfirmuan më vonë se fetuset e dy grave shtatzëna nuk mbijetuan.

Tre nga emigrantët e shtruar në spital, sipas raportimeve, iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të dëmtimeve të rënda në organe jetësore.

Ndërsa ndjekje me shpejtësi të lartë që përfshijnë mjete të kontrabandës së emigrantëve kanë ndodhur edhe më parë pranë ishujve grekë si Kos, Symi, Rodos, Samos dhe Agathonisi, zyrtarët thanë se incidenti pranë Çios ishte ndër më seriozët në vitet e fundit.

Mbërritjet e emigrantëve në ishujt e Detit Egje kanë rënë ndjeshëm muajt e fundit. Rreth 220 persona mbërritën në Çios në dhjetor, ndërsa 33 mbërritje u regjistruan në fillim të shkurtit, sipas të dhënave të Ministrisë së Migracionit. Në përgjithësi, flukset e emigrantëve drejt ishujve të Egjeut ranë në vitin 2025, me rreth 40% të mbërritjeve të regjistruara në ishullin jugor të Kretës.

Të martën vonë, ministri i Migracionit, Thanos Plevris, njoftoi gjatë një debati parlamentar mbi një projektligj që lidhet me migracionin e ligjshëm se qeveria do të krijojë dy qendra pritjeje për emigrantët në Kretë. Këto qendra, të financuara nga Bashkimi Evropian, pritet të jenë funksionale deri në festën e Pashkëve. Vitin e kaluar, në ishull mbërritën afro 19.800 emigrantë.

Legjislacioni përfshin gjithashtu dispozita për fonde kompensuese për komunitetet lokale, të ngjashme me masat që tashmë zbatohen në ishujt e Egjeut ku funksionojnë qendra pritjeje afatgjata.

Shija e redaktorit

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Të fundit nga rubrika