Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar se, pas veprimeve intensive hetimore dhe operacioneve të koordinuara, janë identifikuar dhe proceduar personat e përfshirë në një incident të rëndë me armë zjarri që ka rrezikuar jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 31 janar, rreth orës 15:15, në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri.
Hetimet fillestare kanë treguar se incidenti ka ndodhur pas një konflikti ndërmjet dy grupeve të personave, i cili ka eskaluar me përdorim të armëve pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe pronën publike.
Policia ka bërë të ditur se konflikti nuk ka përfunduar në vendin e parë të ngjarjes, pasi më pas është zhvendosur në një lokacion tjetër të qytetit.
Sipas hetimeve, në këtë fazë të incidentit është përdorur edhe një veturë si mjet rrezikimi ndaj personave, duke u shkaktuar lëndime trupore disa qytetarëve. Po ashtu, dyshohet se nga vetura në lëvizje janë kryer edhe të shtëna me armë zjarri.
“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kryer ekzaminime të plota kriminalistike dhe forenzike, me ç’ rast janë sekuestruar:
· gëzhoja dhe fragmente predhash,
· municion,
· mjete të forta, si dhe,
· vetura e dyshuar e përfshirë në rast.
Të gjitha veprimet operative dhe hetimore janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, ndërkohë që është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale:
· Vrasje në tentativë,
· Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,
· Mbajtja e paautorizuar e armëve.
Si rezultat i punës intensive hetimore:
· Janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë të përfshirë në rast.
· Janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale.
· Janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme.
· Janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë me rëndësi për procedurën penale.
· Janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me iniciale A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar fuqishëm në garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke mos toleruar asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.