Avokati, Arianit Koci, ka dënuar ashpër arrestimin e veteranit të UCK-së, Mithat Llozhani nga autoritetet serbe.
Koci, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se është avokati i Llozhanit dhe se arrestimi i tij është i papranueshëm.
Mes tjerash, Koci vlerëson se Serbia është duke bërë arrestimet e qytetarëve të Kosovës për t’u ‘hakmarrë’ për gjykimet që po ndodhin në Kosovë përfshirë edhe rastin Banjska.
“Jemi duke hyrë në një situatë të papranueshme, sa më i madh është tensioni mes Kosovës dhe Serbisë aq më shumë po ndodhin arrestime. Serbia po i shfrytëzon arrestimet e qytetarëve për një lloj kurustije politike për rastet dhe gjykimet që po ndodhin në Kosovë duke e përfshirë edhe rastin Banjska. Ky zullum është rritë dhe është koha e fundit të veprojmë”, u shpreh Koci.
Koci bëri të ditur se Llozhani ka kaluar disa herë nëpër Serbi dhe sipas tij shkak i arrestimit u bë kartela e veteranit të UÇK-së që e kishte në kuletë.
“Mithat Llozhani ka kaluar shumë herë nëper Serbi madje para 10 ditëve ka qenë pasi merret me biznes dhe pa asnjë problem ka kalu – dje rreth orës 10:00 kur ka hyrë prej Kroacisë në Serbi e ka kaluar kontrollën e policisë por kur e kanë ndal për ta kontrolluar meqë ka qenë me një veturë më tabela të jashtshme e kanë kontrolluar se mos ka më shumë se 10 mijë euro – më shumë se shuma e lejuar që deklarohet dhe aty ja kanë marrë kuletën dhe e kanë parë kartelën e veteranit të luftës dhe aty ka filluar ndalimi i tij”, u shpreh Koci.
Koci, mes tjerash, bëri të ditur se ai nuk ka qenë në asnjë listë të ndalesave nga Serbia dhe se i njëjti ka kaluar disa herë nëpër Serbi.
Koci, mes tjerash, u shpreh se institucionet shtetërore duhet të merren më shumë për këtë cështje e jo të merren vetëm me dërgimin e email-eve. Tutje, ai rekomandoi që edhe Organizata e Veteranëve të Luftës të jetë më e zëshme duke u bërë në vazhdimësi thirrje veteranëve që të mos kalojnë nëpër Serbi.
“Unë të hënën besoj se do të shkojë në Serbi dhe do të marrë më shumë informacione”, tha Koci.