Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kritikoi mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka zyrtarizuar rritjen e pagës minimale, duke theksuar se vendimi është marrë pa konsultim me sektorin privat dhe pa analiza paraprake për ndikimin në ekonomi.
Qeveria ka vendosur që paga minimale për punëtorët me orar të plotë të rritet në dy faza gjatë vitit 2026, në 425 euro bruto nga janari dhe në 500 euro bruto nga korriku.
Rafuna tha se bizneset tashmë janë duke pritur të shohin efektet konkrete të këtij vendimi dhe paralajmëroi se disa sektorë do të përballen me vështirësi.
“Po biznesi është shumë i kujdesshëm. Ne si Odë kemi reaguar për mënyrën se si është marrë vendimi, domethënë është marrë pa një konsultim, është marrë pa një analizë paraprake për me pa se çfarë ndikimi do të ketë. Tani jemi në muajin e parë, sipas vendimit të qeverisë paga minimale është dashur me hy në fuqi dhe ka hy në fuqi prej 1 janari. Ende nuk kemi ndonjë reagim, presim që të shohim se cili do të jetë efekti i saj. Mirëpo nuk ka qenë e drejtë procedura dhe mënyra qysh është marrë dhe qysh është vendos paga minimale. Ne kemi thënë edhe më herët përmes mediumit tuaj po që sikur të na ishte dhënë mundësia që ne me u konsultu, ndoshta do të kishim propozu edhe një pagë më të lartë. Mirëpo vendimi është ky që është edhe tani do të shohim se si do të ketë efekt te bizneset”, tha ai.
Rafuna theksoi se bizneset në Kosovë janë përballur muaj pas muaji me sfida të reja, duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë elektrike në prill, daljen në tregun e lirë në qershor, rritjen e pagës minimale, pasigurinë politike dhe tatimin në pronë që, sipas tij, pritet të hyjë plotësisht në fuqi nga 1 qershori nëse nuk ka ndryshime ligjore.
“Mirëpo shikoni, biznesi i Kosovës është duke u sfidu. Është sfidu me rritjen e çmimit të energjisë elektrike në prill, u sfidu në qershor me nxjerrjen në tregun e lirë, u sfidu tani me pagën minimale, u sfidu me jo stabilitetin politik, është sfidu me tatimin në pronë tani që edhe ai prej 1 qershorit thujse veç është në fuqi, në qoftë se nuk ndryshon diçka me ligjin e buxhetit. Kështu që biznesi në Kosovë çdo muaj befasohet me një vendim dhe me një sfidë të re që i shkon komplet në ngarkesë dhe kjo i tremb bizneset, i tremb investitorët e huaj dhe ja shihni, domethënë investimet e kosovarëve për herë të parë në historinë e pasluftës kanë mbërri afër 400 milionë që po investohen në vendet e rajonit. Dhe kjo më së miri tregon se ku jemi dhe çka jemi duke bërë për bizneset tona në Kosovë, për prodhimin tonë”, tha ai.
Kreu i OEK-ut theksoi se rritja e pagës minimale, në formën aktuale, ka ngarkuar dyfish bizneset.
Ai theksoi se nëse do të kishte pasur dialog me sektorin privat, do të ishte kërkuar një masë mbështetëse nga qeveria dhe një proces më i planifikuar, duke shtuar se bizneset do të kishin propozuar edhe një pagë më të lartë se 425 euro.
“Shiko, me rritjen e pagës minimale në këtë mënyrë qysh është vendos nga ana e qeverisë pa ia dhënë mundësinë sektorit privat me u deklaru, biznesi është ngarkuar dy herë. Është ngarkuar edhe me tatimin në të ardhura personale në pagën minimale, por është ngarkuar edhe me rritjen e pagës minimale. Kjo nuk është e drejtë. Për këtë arsye thashë që qoftë se ne kishim shku me një propozim, ndoshta do të kishim shku me një masë mbështetëse nga ana e qeverisë, po do ta kishim propozu një pagë ndoshta, ndoshta edhe më të lartë se 425-shi. Për këtë arsye ne kërkojmë që në të ardhmen çdo vendim që merret të na jepet mundësia që të konsultohemi, të na jepet mundësia që ta kemi një studim, t’i shohim cilat janë efektet e saj dhe më pas ta marrim një vendim. Mos të merret vendimi në kohë fushate ose në kohën e zgjedhjeve dhe të hyjë në fuqi menjëherë në fillim të vitit. Biznesi e ka një plan të investimeve, një plan financiar, një biznes plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë dhe nuk mundet, nuk është e drejtë, se ti mundesh se je qeveri, mirëpo nuk është e drejtë të ndërhysh në planin e investimeve të biznesit”, tha ai.
Ai paralajmëroi se rritja e pagës minimale do të ketë ndikim sidomos në rajonet jashtë Prishtinës, duke u bazuar në studime që tregojnë se rreth 100 mijë punëtorë preken nga kjo masë.
Rafuna shtoi se bizneset e reja, përfshirë start-upet dhe studentët që i nisin ato, do ta kenë veçanërisht të vështirë përballimin e kostove derisa të arrijnë një nivel më të qëndrueshëm zhvillimi.
“Po do të ketë ndikim, sidomos në rajonet e tjera jashtë Prishtinës do të ketë ndikim, për shkak se sado që pagat në sektorin privat janë rritë, po prapë kemi, ku sipas një studimi rreth 100 mijë punëtorë preken nga kjo paga minimale. Disa biznese do ta kenë vështirë, me të vërtetë do ta kenë vështirë, sidomos bizneset që janë në ditët e para, në hapat e parë, studentët për shembull që i fillojnë start-upet, ato do ta kenë vështirë derisa të arrijnë një standard ose një zhvillim. Do të ketë, do ta kenë sfidë”, tha ai./EO