Drejtori i një shtëpie funeralesh në Kolorado, ku u gjetën afro 200 trupa në dekompozim, është dënuar me 40 vjet burg për abuzim me kufoma.
Bashkëpronari i shtëpisë funerale, Jon Hallford, kërkoi falje në sallën e gjyqit përpara shpalljes së dënimit dhe dëgjoi familjarët e viktimave teksa përshkruanin makthet që kanë përjetuar, duke imagjinuar trupat e të dashurve të tyre duke u kalbur nën kujdesin e tij, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ata e quajtën atë një “përbindësh” që duhet të kalbet në burg.
Ish-bashkëshortja dhe bashkëpronare e tij, Carie Hallford, ka pranuar fajësinë për akuza të ngjashme dhe pritet të dënohet në një seancë të veçantë.
Shtëpia funerale “Return to Nature”, në qytetin Penrose të Kolorados, u kishte dhënë familjarëve hirë të rremë, në vend të mbetjeve reale të të afërmve të tyre.
Prokuroria tha se 189 trupa ishin ruajtur në mënyrë të papërshtatshme në ndërtesë për një periudhë katërvjeçare.
Salla e gjyqit ishte e mbushur me familjarë të viktimave të premten, të cilët i kërkuan gjyqtarit të jepte dënimin maksimal prej 50 vitesh burg.
“Jam një vajzë, nëna e së cilës u trajtua si mbeturinë dhe u hodh të kalbej në një vend me qindra të tjerë,” i tha gjykatës Kelly Mackeen.
“Jam zemërthyer dhe i lutem Zotit çdo ditë për forcë.”
Trupat u gjetën të grumbulluar në ambiente pa frigorifer brenda shtëpisë funerale. Mes viktimave kishte edhe fëmijë dhe fetuse.
“Besoj se çdo njeri, në thelb, është i mirë,” tha gjyqtari Eric Bentley.
“Por jetojmë në një botë që e vë çdo ditë në provë këtë besim, dhe zoti Hallford, krimet tuaja po e vënë seriozisht në dyshim.”
Hallford kishte pranuar fajësinë me shpresën për një dënim më të lehtë dhe kërkoi falje para shpalljes së vendimit.
“Kisha shumë mundësi për ta ndalur gjithçka dhe për t’u larguar, por nuk e bëra,” tha ai.
“Gabimet e mia do të jehojnë për një brez të tërë. Çdo gjë që bëra ishte e gabuar.”
Prokurorët thanë se çifti ishte shtyrë nga lakmia, ndonëse fitonin mjaftueshëm nga biznesi për t’u kujdesur siç duhet për trupat.
Shtëpia funerale, e vendosur rreth 48 kilometra në jug të Colorado Springs, ishte e specializuar në të ashtuquajturat “varrime të gjelbra”, ku nuk përdoren kimikate apo lëng balsamimi dhe trupat varrosen në arkivole biodegradues.
Biznesi ra nën hetim pasi u raportua një erë e rëndë që vinte nga prona. Zyrtarët zbuluan 115 trupa aty në fillim të tetorit të kaluar.
Jon Hallford u akuzua gjithashtu për përpjekje për të fshehur ruajtjen e papërshtatshme të mbetjeve njerëzore.
Edhe pse varrimet “të gjelbra” lejohen në Kolorado, ligji kërkon që trupat të varrosen brenda 24 orëve ose të ruhen në mënyrë të përshtatshme në frigorifer.
Aktualisht, drejtuesit e shtëpive funerale në Kolorado nuk janë të detyruar të licencohen, të kenë diplomë në shkencat mortore apo as të kenë përfunduar shkollën e mesme.
Pas shpërthimit të këtij skandali, janë miratuar ligje më të ashpra për të rregulluar këtë sektor.