Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë deri në fillim të verës, edhe pse raunde të përsëritura bisedimesh nuk kanë sjellë ende një përparim konkret lidhur me çështjet e territorit dhe garancive të sigurisë.
“Ata thonë se duan që gjithçka të përfundojë deri në qershor, Dhe ata do të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund luftës. Ata duan një plan të qartë të ngjarjeve”, tha Zelensky në deklarata të publikuara të shtunën nga Presidenca.
“Nëse rusët janë vërtet të gatshëm ta përfundojnë luftën, atëherë është shumë e rëndësishme të vendoset një afat,” shtoi ai, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Zelensky bëri të ditur se Uashingtoni ka propozuar që delegacionet ukrainase dhe ruse të takohen në Shtetet e Bashkuara, me gjasë në Miami, brenda një jave.
“Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen tonë,” tha ai.
Kremlini ka këmbëngulur që Kievi të heqë dorë nga i gjithë rajoni i Donbasit, rreth një e katërta e të cilit ende kontrollohet nga forcat ukrainase.
Ukraina ka refuzuar kategorikisht dorëzimin e këtij territori.
Deklaratat e Zelenskyt erdhën ndërsa Rusia kreu një tjetër sulm të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke goditur disa rajone me qindra dronë dhe raketa gjatë natës.
Sulmet e fundit pasojnë një periudhë relative qetësie në goditjet ndaj infrastrukturës energjetike nga të dyja palët, e cila ishte propozuar nga SHBA-ja.
Zelensky tha se Uashingtoni kishte sugjeruar “që të dyja palët të mbështesin sërish nismën e presidentit amerikan për de-përshkallëzim energjetik. Ukraina ka rënë dakord, por Rusia ende nuk ka dhënë përgjigje.”
Sipas Zelenskyt, sulmet e fundit ruse përfshinë më shumë se 400 dronë dhe rreth 40 raketa të llojeve të ndryshme dhe se objektivat kryesore ishin rrjeti energjetik, kapacitetet e prodhimit dhe nënstacionet e shpërndarjes.
Shumë nga objektivat e goditura ndodheshin në Ukrainën qendrore dhe perëndimore, përfshirë rajonet e Lvivit dhe Rivnes, por u goditën edhe rajonet e Kievit dhe Kharkivit.
Pjesa më e madhe e Ukrainës përballet me temperatura shumë nën zero për ditët në vijim.