Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se sot, nga ora 05:00 e mëngjesit, ekipet e Inspektoratit të Kryeqytetit, në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, janë duke realizuar një aksion të përbashkët në terren.
Ky aksion po zhvillohet në zonën e tregut të automjeteve, si dhe në hapësirat përreth këtij lokacioni, njofton Dukagjini.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i ndërhyrjes është zbatimi i ligjeve në fuqi, parandalimi dhe ndëshkimi i shitjes ilegale, tregtimit të paautorizuar të shpezëve dhe kafshëve, si dhe i veprimtarive të tjera që bien ndesh me rregulloret përkatëse.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë obligimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse gjatë zhvillimit të këtij aksioni. Po ashtu, është theksuar se ndaj çdo shkelësi do të merren masat e parapara ligjore.