Dorajet Imeri, Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO përbën synimin më të rëndësishëm strategjik të shtetit, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, stabilitetin rajonal dhe konsolidimin e plotë të shtetësisë.
Sipas Imerit, historia e Kosovë është e lidhur ngushtë me NATO-n, duke theksuar se ndërhyrja e Aleancës i dha fund luftës, ndali spastrimin etnik dhe gjenocidin, ndërsa prania e vazhdueshme e KFOR-it ka qenë faktor kyç për sigurinë dhe funksionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai thekson se anëtarësimi në NATO do t’i siguronte Kosovës garanci afatgjata mbrojtjeje kolektive, duke ulur ndjeshëm rrezikun e destabilizimit dhe ndërhyrjeve të jashtme, veçanërisht nga Serbi. Në këtë kontekst, Imeri i referohet edhe qëndrimeve të kongresmenit amerikan Keith Self, i cili ka paralajmëruar se Ballkani mbetet një rajon me siguri delikate dhe se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte element kyç stabilizues.
Sipas profesorit, Kosova nuk do të ishte vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuese për paqen globale, përmes pjesëmarrjes në misione paqeruajtëse dhe iniciativa ndërkombëtare të sigurisë. Ai përfundon se anëtarësimi në NATO do të përmbyllte kapitullin e pasigurisë historike dhe do ta poziciononte Kosovën si faktor stabilizues e paqedashës në Ballkan dhe më gjerë.