Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimet për dënime ndaj ish-drejtuesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Spiropali ka theksuar se kohëzgjatja e paraburgimit, tashmë mbi pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyra e akuzave, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Sipas saj, kjo situatë ushqen perceptimin e një ashpërsie të njëanshme, veçanërisht kur krahasohet me trajtimin e përgjegjësve të aparatit shtypës të regjimit serb, për krime që në shumë raste mbeten ende të patrajtuara.
Ajo ka paralajmëruar se pabarazia në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare. Spiropali thekson se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar narrativa selektive që dëmtojnë pajtimin dhe stabilitetin rajonal.
Në reagimin e saj, ministrja ka rikujtuar se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare me mbështetje të gjerë ndërkombëtare, në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara ndaj popullsisë civile. Ajo thekson se çdo proces gjyqësor duhet të ruajë qartë dallimin midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.
Spiropali ka nënvizuar se gjykata ka përgjegjësi të veçantë që procesi të mos cenojë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri, duke theksuar se vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta, mund të largojë hijen e dyshimit mbi këtë proces.
Në fund, ajo ka riafirmuar qëndrimin e Shqipëri se drejtësia duhet t’i shërbejë së vërtetës dhe pajtimit, jo rishkrimit të historisë apo relativizimit të përgjegjësive të njohura ndërkombëtarisht për krimet e luftës në Kosovë. Shqipëria, sipas saj, do të vijojë ta ndjekë me vëmendje procesin, duke mbetur e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.